A do të pranonit një transplant nëse vendimin do ta merrte inteligjenca artificiale? Një studim i ri nxjerr në pah dallimet në mënyrën e marrjes së vendimeve dhe përcaktimit të prioriteteve mes modeleve të inteligjencës artificiale dhe mjekëve njerëzorë.
Sipas një studimi të ri, modelet e inteligjencës artificiale shfaqin vetëbesim të tepruar, u japin rëndësi faktorëve të ndryshëm dhe i thjeshtojnë së tepërmi vendimet komplekse kur përcaktojnë se cili pacient duhet të marrë një transplant.
Për studimin e tyre, studiues nga Universiteti Shtetëror i Pensilvanisë në Shtetet e Bashkuara u paraqitën Modeleve të Mëdha Gjuhësore (LLM) skenarë hipotetikë, të bazuar në të dhëna ekzistuese nga studime të publikuara mbi shpërndarjen e veshkave, ku pjesëmarrës realë kishin marrë më parë të njëjtat vendime.
Çdo skenar përfshinte dy pacientë, Pacientin A dhe Pacientin B, të dy të përshtatshëm për të marrë një veshkë të vetme në dispozicion dhe të karakterizuar sipas moshës, gjendjes shëndetësore dhe zakoneve të konsumit të alkoolit. Më pas, vendimmarrësi duhej të zgjidhte se cili nga dy pacientët duhej ta merrte organin.
“Ne i realizuam këto krahasime në disa mënyra të ndryshme”, tha Hosseini. “Ndonjëherë izolonim vetëm një karakteristikë, ndonjëherë kombinonim disa karakteristika për të parë se si inteligjenca artificiale i peshonte faktorët konkurrues dhe, në disa raste, shtonim edhe mundësinë e hedhjes së një monedhe për të matur pavendosmërinë, një faktor kyç në gjykimin moral njerëzor.”
Ndërsa pjesëmarrësit njerëzorë prireshin t’i jepnin më shumë rëndësi moshës — duke favorizuar pacientët më të rinj në krahasim me ata më të moshuar — shumë prej modeleve favorizonin konsumin më të ulët të alkoolit.
Vendimet e njerëzve merrnin në konsideratë disa faktorë dhe ishin më të ndjeshme ndaj kontekstit sesa vendimet e LLM-ve, të cilat shpesh përqendroheshin vetëm te një karakteristikë.
“Së pari, chatbot-et e inteligjencës artificiale shpesh ndryshojnë nga vlerat njerëzore në mënyrën se si peshojnë karakteristikat e një pacienti”, tha Hadi Hosseini, drejtuesi i studimit në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë. “Ato fiksohen te një faktor i vetëm, si zakonet e konsumit të alkoolit, në vend që të balancojnë disa konsiderata, ashtu siç bëjnë njerëzit.”
Studiuesit vunë re gjithashtu se inteligjenca artificiale nuk shfaqte vështirësi në marrjen e një vendimi. Ndërsa njerëzit pranonin se nuk ekziston një përgjigje e vetme objektivisht e saktë dhe se vendimet mund të varen nga gjykime morale njerëzore të ndërlikuara, sistemet prirën të zgjidhnin një opsion të vetëm me shumë pak hezitim.
“Kur shpërndajmë diçka të rrallë, qoftë një veshkë, një vend pune apo aksesin në ndonjë burim tjetër, nuk ekziston gjithmonë një përgjigje e vetme objektivisht e saktë”, tha John Dickerson, drejtor ekzekutiv i Mozilla.ai, i cili bashkëpunoi në studim.
“Njerëzit e kuptojnë këtë paqartësi dhe e përfshijnë atë në procesin e shpërndarjes përmes debatit të hapur. Modelet e inteligjencës artificiale shpesh nuk e bëjnë këtë.”
Autorët vunë në dukje se ndërveprimet e fundit me sistemet e inteligjencës artificiale kërkojnë gjithnjë e më shumë që ato të shkojnë përtej dhënies së informacionit faktik dhe të marrin vendime që përfshijnë gjykime mbi vlerat.
Modelet e Mëdha Gjuhësore (LLM) po integrohen gjithnjë e më shumë në kujdesin shëndetësor, duke mbështetur proceset klinike, diagnostikimin, planifikimin e trajtimit dhe përdorimin në kohë të burimeve të kufizuara mjekësore.
Një nga përdorimet e tyre përfshin vendimet për shpërndarjen e veshkave nga donatorë të vdekur ose të gjallë te pacientët. Sipas autorëve, këto vendime varen nga konsiderata komplekse etike dhe morale.
Në situata të tilla me pasoja të mëdha, studiuesit theksuan se vendimet kërkojnë jo vetëm saktësi, por edhe përputhje me vlerat njerëzore dhe gjykimin moral.
Sipas studiuesve, pyetja nëse inteligjenca artificiale mund të marrë vendime morale dhe nëse vendimet e saj janë në përputhje me vlerat njerëzore qëndron në qendër të debatit më të gjerë që po zhvillohet sot rreth inteligjencës artificiale.
















