Kursimet në banka pritet të kenë një mbrojtje më të madhe në rast se institucioni ku mbahen nuk është në gjendje t’ua kthejë paratë klientëve.
Projektligji i përgatitur nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) e rrit kufirin e sigurimit nga 2,5 milionë në 6 milionë lekë për çdo depozitues, në çdo bankë.
Kufiri vlen për shumën e të gjitha llogarive që një person ka në të njëjtën bankë, jo veçmas për secilën llogari. Për depozitat në shoqëritë e kursim-kreditit, projektligji e lë kufirin 2 milionë lekë, sa është edhe aktualisht. Ndryshimet janë ende propozim dhe kufiri prej 6 milionë lekësh nuk ka hyrë në fuqi.
Projektligji parashikon mbrojtje më të lartë, deri në 15 milionë lekë, për disa shuma që qëndrojnë përkohësisht në llogari.
Këtu përfshihen, ndër të tjera, paratë nga transaksionet e banesave, trashëgimia, përfitime të caktuara sociale, pagesat nga sigurimet dhe dëmshpërblimet për dënime të padrejta penale. Depozituesi duhet të paraqesë dokumentet që provojnë origjinën e shumës.
Ky mbulim i veçantë zbatohet kur paratë janë transferuar në llogari, ose janë bërë ligjërisht të transferueshme, jo më shumë se gjashtë muaj përpara ngjarjes së sigurimit.
Sipas projektligjit, kompensimi për këtë balancë të përkohshme llogaritet veçmas nga kufiri i zakonshëm i sigurimit.
Ndryshon edhe mënyra si bankat financojnë skemën: kontributi vjetor i secilës do të lidhet me shumën e depozitave të siguruara dhe me profilin e saj të rrezikut. Metodologjia do të miratohet nga Banka e Shqipërisë, me propozim të ASD-së, ndërsa fondi i sigurimit synohet të jetë të paktën 0,8% e depozitave të mbuluara.
Rritja në 6 milionë lekë është hapi i parë i përafrimit me rregullat europiane. Projektligji parashikon që, me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, kufiri të arrijë 100 mijë euro për depozitues, niveli i përcaktuar nga direktiva e BE-së për garantimin e depozitave. /skyweb.al














