Riviera Shqiptare po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë edhe jashtë sezonit të verës. Në një artikull të publikuar nga “Travel Off Path”, jugu i Shqipërisë dhe veçanërisht Ksamili veçohen si alternativa më të përballueshme ndaj destinacioneve të njohura mesdhetare si Bregu i Amalfit apo ishujt grekë.
Sipas artikullit, dy javët e para të tetorit janë ndër periudhat më të përshtatshme për të vizituar Ksamilin. Temperaturat gjatë ditës mund të arrijnë rreth 23–24°C, ndërsa deti ruan temperaturat rreth 22°C. Me largimin e turistëve të verës, plazhet bëhen më të qeta dhe çmimet e akomodimit bien ndjeshëm.
Një dhomë në hotele të vogla ose butikë pranë detit mund të kushtojë rreth 35–60 dollarë nata, ndërsa një drekë me fruta deti rreth 8–12 dollarë. Kjo e bën Rivierën Shqiptare një alternativë më ekonomike për ata që kërkojnë det, diell dhe një atmosferë të qetë në vjeshtë.
Përveç plazheve me ujëra bruz, vizitorët mund të eksplorojnë edhe Parkun Kombëtar të Butrintit, i cili ndodhet vetëm pak minuta nga Ksamili dhe është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Për të mbërritur në jug të Shqipërisë, turistët mund të përdorin Aeroportin e Tiranës dhe të vazhdojnë me makinë drejt bregdetit, ose të fluturojnë drejt Korfuzit e më pas të marrin tragetin për në Shqipëri.
Sipas “Travel Off Path”, tetori ofron mundësinë për të shijuar ujërat e kthjellëta të Ksamilit, ishujt përreth dhe plazhet më pak të frekuentuara, përpara se sezoni turistik të mbyllet gradualisht në fund të muajit.
















