Nëse jeni në një marrëdhënie të palumtur, mund të vuani nga dhimbja e zemrës, fjalë për fjalë.
Debatet e ashpra mund të çojnë në gjumë të dobët, madje edhe në dhimbje të zemrës dhe dhimbje muskujsh. Ato mund ta bëjnë të gjithë familjen, përfshirë fëmijët, më të cenueshme ndaj problemeve fizike dhe mendore. Një marrëdhënie e lumtur mund të përmirësojë shëndetin tuaj dhe madje edhe jetëgjatësinë. Një marrëdhënie e palumtur mund të ketë efektin e kundërt, duke rritur rrezikun e një vdekjeje më të hershme përmes dëmtimit gradual të shëndetit.
Në fakt, marrëdhëniet e afërta me cilësi të dobët konsiderohen një faktor rreziku për shëndetin, i barabartë ose edhe më i madh se pirja e duhanit apo mungesa e aktivitetit fizik. Dhe, sigurisht, ekziston edhe dhimbja emocionale: dhimbja që sjell shpërbërja e dashurisë.
Atëherë, si mund ta ktheni një marrëdhënie të palumtur në një marrëdhënie të lumtur? Dhe a është kjo e mundur?
Pse grinden çiftet
Nëse hyni në një marrëdhënie të re dhe debati i parë me partnerin tuaj është për enët e palara, mund të jeni duke parë një shenjë të së ardhmes së largët: kërkimet sugjerojnë se temat për të cilat çiftet grinden mbeten kryesisht të njëjta gjatë gjithë marrëdhënies.
Këto probleme të përsëritura njihen si probleme të përhershme ose çështje të bllokuara.
“Çështjet e bllokuara mund të lidhen me financat, prindërimin, jetën seksuale, mënyrën se si çifti ndan dhe negocion pushtetin në marrëdhënie”, thotë Carrie Cole, psikologe dhe drejtoreshë e kërkimeve në Institutin Gottman për terapinë e çifteve në Seattle, SHBA. Por ato mund të lidhen edhe me çështje që duken të vogla, si për shembull rregulli dhe pastërtia.
Në një studim afatgjatë, psikologu John Gottman dhe ekipi i tij vëzhguan mosmarrëveshjet e çifteve gjatë një vlerësimi fillestar dhe më pas, katër vjet më vonë. Ata zbuluan se 69% e rasteve, çiftet vazhdonin të debatonin për të njëjtat lloje problemesh që kishin diskutuar katër vite më parë.
Studime të tjera kanë treguar një model të ngjashëm, ku disa çështje themelore, si paratë, shfaqen në konflikte në familje të ndryshme dhe madje edhe në kultura të ndryshme.
Mosmarrëveshjet për paratë, në veçanti, shkaktojnë debatet më të vazhdueshme dhe më të nxehta. Ndarja e pabarabartë e punëve të shtëpisë është një tjetër burim tensioni dhe mund të rrisë mundësinë e divorcit.
Vetë mosmarrëveshja nuk është domosdoshmërisht një shenjë e keqe. Ajo mund të jetë thjesht një pjesë e natyrshme e procesit të të kuptuarit të nevojave të njëri-tjetrit dhe të mësuarit se si t’u përgjigjeni atyre.
Si çiftet e lumtura, ashtu edhe ato të palumtura grinden.
Dallimi thelbësor midis çifteve të lumtura dhe atyre të palumtura është mënyra se si sillen me njëri-tjetrin – si gjatë debateve, ashtu edhe jashtë tyre, sugjerojnë kërkimet.
Katër sjellje që mund ta “vrasin” një marrëdhënie
Cole përmend katër sjellje specifike që, sipas studimeve, mund të tregojnë se marrëdhënia juaj po shkon drejt ndarjes:
Kritika
Përçmimi
Qëndrimi mbrojtës
Mbyllja në vetvete / refuzimi për të komunikuar (stonewalling), që do të thotë të tërhiqesh nga konflikti dhe të refuzosh të përfshihesh në të.
Në fakt, nuk është vetëm marrëdhënia ajo që rrezikohet: kërkime të veçanta kanë treguar se kritikat e vazhdueshme nga partneri lidhen në mënyrë të konsiderueshme me një vdekje më të hershme.
Argumentet që përfshijnë këto lloj sjelljesh, së bashku me agresivitetin dhe armiqësinë, njihen si konflikte shkatërruese dhe në fund mund të rrisin rrezikun e divorcit.
Megjithatë, debatet konstruktive, të cilat përqendrohen në zgjidhjen e përbashkët të problemeve me respekt, kuriozitet dhe mirësi, mund ta forcojnë marrëdhënien.















