Policia e Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e SPAK, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Muri i Lartë”, në kuadër të një hetimi për trafikimin e lëndëve narkotike dhe veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal.
Gjatë operacionit janë caktuar dy masa sigurie, ndërsa njëra prej tyre është ekzekutuar në Shkodër.
Në prangat e policisë ka rënë 50-vjeçari Bledar Çafi. Arrestimi i tij është kryer në orët e para të mëngjesit të sotëm, në banesën e tij në Shkodër.
Ndaj Çafit, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në kuadër të të njëjtit operacion është lëshuar edhe urdhërarrest për 43-vjeçarin Indrit Dokle, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë.
Në zbatim të vendimit të GJKKO-së, autoritetet kanë ushtruar kontrolle në ambiente që i përkasin Dokles. Ai rezulton të jetë në kërkim që prej vitit 2024, pasi Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për të njëjtat vepra penale, që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjen në një grup të strukturuar kriminal.
Operacioni është zhvilluar nga Policia e Shtetit dhe BKH, nën drejtimin e strukturave të Posaçme.
















