Ftesa e kryeministrit Edi Rama për zhvillimin e një tryeze konsultimi mbi pagat e magjistratëve është refuzuar nga Gjykata e Lartë dhe dy shoqata të gjyqtarëve.
Të tre institucionet kanë argumentuar se diskutimi mbi formulën e re të pagave duhet të presë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, pasi ligji i ri është ankimuar për shqyrtim kushtetues.
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, bëri të ditur se institucioni që drejton nuk do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga kryeministri. Sipas Sadushit, që prej momentit kur Rama bëri ftesën ka pasur një zhvillim të ri: ligji tashmë i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese.
“Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur”, u shpreh Sadushi.
Sipas këtij qëndrimi, çdo diskutim mbi formulën e pagave të magjistratëve do të ishte më i efektshëm pasi Gjykata Kushtetuese të ketë dhënë vendimin e saj.
















