Bashkia e Tiranës ka rinisur evidentimin dhe matjen e objekteve të palegalizuara në kryeqytet, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Në terren po verifikohen me përparësi objektet për të cilat është bërë më herët vetëdeklarimi, por aplikuesit nuk mund të kontaktohen për shkak të ndryshimit të numrit të telefonit apo të të dhënave personale.
Drejtoria e Koordinimit dhe Legalizimit u kërkon këtyre qytetarëve të paraqiten pranë zyrës së pritjes në Bashkinë e Tiranës ose në njësinë administrative përkatëse.
“Kemi një problematikë të madhe me gjetjen e kontakteve të qytetarëve që kanë aplikuar, por nuk e përdorin më numrin e deklaruar. Ata duhet të paraqiten për të vijuar procesin”, deklaroi drejtori Shkëlqim Brahushi.
Një nga zonat ku procesi ka avancuar është Selita, ku pjesa më e madhe e matjeve dhe verifikimeve ka përfunduar. Banorët kanë nisur ndërkohë plotësimin e dokumentacionit që mungon në dosjet e tyre.
Evidentimi është pothuajse i përfunduar edhe në zonën përgjatë shinave të trenit. Dokumentacioni i mbledhur është dërguar në drejtoritë vendore të ASHK-së për përpunimin dhe nxjerrjen e vendimeve të legalizimit.
Sipas të dhënave të Bashkisë së Tiranës, pranë Kadastrës janë depozituar deri tani 4,677 matje. Për rreth 60% të tyre janë dhënë vendimet përkatëse.
Procesi ka përfshirë gjithashtu 37 pallate, me gjithsej 2,886 apartamente dhe njësi shërbimi.
Për rreth 85% të këtyre njësive janë miratuar vendimet e legalizimit, ndërsa pjesa tjetër është ende në fazën e plotësimit të dokumenteve.
“Pothuajse e gjithë Tirana është zonë problematike, por qytetarët e kanë përqafuar këtë nismë. Është shpresa e tyre e fundit që procesi të përfundojë së shpejti”, tha Brahushi.
Bashkia u kërkon qytetarëve me dosje të hapura legalizimi të përditësojnë kontaktet dhe të dorëzojnë dokumentacionin e munguar, në mënyrë që aplikimet e tyre të mos mbeten të bllokuara. /skyweb.al
















