Korporatat shumëkombëshe që operojnë në Shqipëri do t’u nënshtrohen detyrimeve më të forta për raportimin e aktivitetit dhe të dhënave të tyre fiskale.
Projektligji i ri i Ministrisë së Financave që ndryshon ligjin e tatimeve synon të rrisë transparencën dhe të identifikojë rastet e zhvendosjes së fitimeve apo shmangies së detyrimeve tatimore.
Ndryshimet e propozuara, të hedhura për konsultim publik, prekin grupet shumëkombëshe me të ardhura të konsoliduara mbi 105 miliardë lekë, shumë e përcaktuar si afërsisht e barabartë me 750 milionë euro në janar 2015.
Një kompani e grupit që është rezidente në Shqipëri do të detyrohet të dorëzojë raportin sipas vendeve, kur kompania mëmë jashtë vendit nuk raporton, kur mungon një marrëveshje për shkëmbimin e informacionit ose kur juridiksioni përkatës ka ndërprerë sistematikisht bashkëpunimin.
Kompania shqiptare duhet t’i kërkojë informacionin kompanisë mëmë. Nëse kjo e fundit refuzon, subjekti vendas duhet të paraqesë te Tatimet të gjitha të dhënat që disponon dhe të njoftojë zyrtarisht refuzimin.
Kur një grup shumëkombësh ka disa kompani në Shqipëri, ai mund të caktojë njërën prej tyre për të përmbushur detyrimin e raportimit për të gjithë grupin.
Nga ky detyrim mund të përjashtohet kompania vendase, nëse raportimi kryhet nga një entitet mëmë zëvendësues në një juridiksion që bashkëpunon dhe shkëmben informacion me Shqipërinë.
Administrata Tatimore do t’ua përcjellë automatikisht raportet autoriteteve të vendeve të tjera ku grupi ka kompani apo veprimtari të tatueshme. Shkëmbimi duhet të kryhet brenda 15 muajve nga përfundimi i vitit fiskal.
Sipas relacionit, të dhënat do të përdoren për vlerësimin e rrezikut që lidhet me çmimet e transferimit, erozionin e bazës tatimore dhe zhvendosjen e fitimeve.
Ndryshimet nuk vendosin një taksë të re, por shtojnë detyrimet e raportimit dhe bashkëpunimit për korporatat e mëdha shumëkombëshe.
Megjithatë, rregullat nuk do të zbatohen menjëherë. Projektligji parashikon që efektet e tyre të fillojnë në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. /skyweb.al
















