Banorët e Gjoricës së Poshtme janë përplasur sot me përfaqësues të një subjekti nënkontraktor, i cili kishte mbërritur në terren për nisjen e punimeve për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Banorë të fshatit janë mbledhur këtë të shtunë për të kundërshtuar ndërhyrjen në sipërfaqen që ata e konsiderojnë “tokë të përbashkët” dhe kullotë tradicionale të komunitetit. Ata kanë penguar vijimin e punimeve, ndërsa në zonë kanë mbërritur edhe forcat e Policisë së Komisariatit të Bulqizës.
Pas përplasjes në terren, disa banorë dhe përfaqësuesi i një subjekti nënkontraktor janë shoqëruar në komisariat për të dhënë sqarime.
Përfaqësuesi i kompanisë nënkontraktore ka deklaruar se subjekti që ai përfaqëson ka kontratë me investitorin dhe se dokumentacioni i projektit është në përputhje me procedurat e ndjekura nga institucionet. Sipas tij, kompania ka ardhur në terren për të nisur punën e parcelimit dhe rrethimit, ndërsa punimet pritet të vijojnë në ditët e ardhshme.
“Jemi përfaqësues të firmës, kemi një kontratë me investitorin… bashkëngjitur me kontratën është vendimi i KKT-së për lejen e ndërtimit”, ka deklaruar përfaqësuesi i kompanisë.
Ai ka sqaruar se subjekti që ndodhej në terren nuk është investitori, por një kompani e kontraktuar për të kryer punimet.
Banorët: Na u tha për 1 hektar, më pas u shfaqën 42.5 hektarë
Banorët pretendojnë se konflikti ka nisur prej muajsh dhe lidhet kryesisht me mënyrën se si, sipas tyre, u është prezantuar projekti në fazat e para.
Sipas tyre, fillimisht një banor i zonës u ka kërkuar dakordësinë për përdorimin e rreth një hektari tokë. Më vonë, ata thonë se kanë mësuar se projekti përfshin rreth 42.5 hektarë tokë pyjore dhe kullosore, ndërsa janë diskutuar edhe sipërfaqe të tjera.
“Na thanë për një hektar, por tani po del 40 hektarë. Po na nxjerrin jashtë, nuk kemi ku të çojmë bagëtinë”, është shprehur një prej banorëve.
Banorët thonë se sipërfaqja përdoret prej komunitetit si kullotë dhe se qindra krerë bagëti kullosin në këtë zonë.
Në një tjetër deklarim, një prej tyre tha se bëhet fjalë për një hapësirë ku kullosin rreth 800 krerë bagëti.
Sipas tyre, marrja e tokës për panele fotovoltaike do të reduktonte ndjeshëm hapësirat e kullotjes dhe do të dëmtonte ekonominë familjare të zonës.
“E kemi çuar çështjen në SPAK”
Banorët pretendojnë se kundërshtimi i projektit nuk është vetëm një konflikt për përdorimin e tokës, por tashmë është edhe pjesë e një procesi hetimi penal dhe ligjor.
Ata deklarojnë se çështjen e kanë depozituar në SPAK dhe se presin një përgjigje nga ky institucion për pretendimet e tyre mbi procedurat dhe dokumentacionin e projektit.
“Pa mbaruar me SPAK-un, nuk kemi punë”, është shprehur një prej banorëve gjatë përplasjes në terren.
Një tjetër banor deklaroi se SPAK-u u ka konfirmuar marrjen e dokumentacionit të paraqitur prej tyre, ndërsa pretendoi se dokumentet e projektit përmbajnë shkelje.
Këto janë pretendime të banorëve dhe nuk përbëjnë një konstatim të një institucioni hetimor apo gjykate.
80 familje dhe një prokurë për kundërshtimin e projektit
Kundërshtimi ndaj projektit ka kaluar edhe në përfaqësim ligjor.
Më 17 prill 2026, një grup familjesh të Gjoricës së Poshtme kanë firmosur një prokurë të posaçme noteriale në Peshkopi, përmes së cilës kanë autorizuar avokatin Adriatik Lapaj dhe avokaten Dorina Prethi për të ndjekur procedurat administrative dhe gjyqësore që lidhen me projektin.
Sipas aktit, përfaqësuesit ligjorë janë autorizuar të kërkojnë dokumentacionin dhe vendimet e institucioneve lidhur me sipërfaqen prej 42.5 hektarësh, të marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Bulqizës dhe t’i përfaqësojnë banorët në procedurat gjyqësore.
Banorët kanë deklaruar gjithashtu se mbi 80 kryefamiljarë kanë firmosur kundërshtimin ndaj dhënies në përdorim të sipërfaqeve që ata i konsiderojnë “mera e fshatit”.
Sipas tyre, kjo tokë është përdorur prej më shumë se 200 vitesh si kullotë e përbashkët dhe nuk është ndarë gjatë proceseve të reformës së tokës pikërisht për shkak të funksionit të saj të përbashkët.
Çfarë parashikon projekti “Gjorica Solar Park”?
Projekti “Gjorica Solar Park” është miratuar me Vendimin nr. 41, datë 29.05.2024 të Këshillit Kombëtar të Territorit.
Sipas dokumentacionit teknik, bëhet fjalë për një park fotovoltaik me kapacitet të instaluar 40 MW.
Planvendosja parashikon ndërtime në një sipërfaqe totale prej rreth 401 mijë metrash katrorë, ose afro 40 hektarë, ndërsa sipërfaqja e zënë nga panelet fotovoltaike është mbi 158 mijë metra katrorë.
Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e një nënstacioni elektrik 110/35 kV, kabinave elektrike, inverterëve dhe infrastrukturës së nevojshme shoqëruese.
Prodhimi vjetor i parashikuar është rreth 62.4 milionë kWh energji elektrike.
Projekti është zhvilluar nga shoqëria “Infotelecom Albsolar 4” sh.p.k., ndërsa dokumentacioni teknik përfshin parcela të fondit pyjor dhe kullosor në zonën e Gjoricës.
Një tjetër element i ngritur më herët në lidhje me këtë projekt është ndryshimi i pronësisë së shoqërisë.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, shoqëria “Solar Park Gjoricë” është themeluar në nëntor 2023 nga Sokol Tasha.
Më 8 prill 2024, rreth 97% e kuotave të shoqërisë iu transferuan kompanisë “GJONAJ GROUP HOLDINGS”, ndërsa ndryshoi edhe administratori, me largimin e Sokol Tashës dhe emërimin e Arben Margilajt.
Ndryshimet në pronësi, administrim, adresë dhe strukturën e kapitalit ndodhën në një periudhë kur projekti po kalonte procedurat për përdorimin e sipërfaqes së tokës në Gjoricë.
Ndërkohë, sipas pasqyrave financiare të vitit 2024, depozitimet e fundit të disponueshme në QKB e paraqesin shoqërinë me një humbje prej afro 11 mijë eurosh.
“Kjo është e vetmja kullotë që ka fshati”
Për banorët, konflikti nuk lidhet vetëm me ndërtimin e një impianti energjetik, por me mënyrën se si do të përdoret toka dhe ndikimin që kjo mund të ketë mbi blegtorinë.
Në ankesën e tyre drejtuar institucioneve, ata kanë argumentuar se kjo sipërfaqe është përdorur brez pas brezi për kullotjen e bagëtive.
“Kjo është e vetmja kullotë që ka fshati. Nëse merret për panele, bagëtitë mbeten pa hapësirë dhe familjet tona pa burimin kryesor të jetesës”, thuhet në një nga shqetësimet e ngritura nga banorët.
Banorët thonë se janë të gatshëm ta ndjekin çështjen në rrugë ligjore dhe se do të kundërshtojnë çdo ndërhyrje në terren deri në sqarimin e pretendimeve të tyre.
Ndërkohë, përfaqësuesi i kompanisë nënkontraktore që ndodhej në terren ka deklaruar se punimet po kryhen mbi bazën e kontratës me investitorin dhe dokumentacionit të miratuar nga institucionet.
Përplasja tashmë është zhvendosur nga debatet në dëgjesat publike dhe mbledhjet e Këshillit Bashkiak, në terren, ndërsa mbetet për t’u parë nëse institucionet hetimore do të ndërhyjnë për të shqyrtuar pretendimet e banorëve mbi procedurat, pronësinë dhe përdorimin e sipërfaqeve.
Për momentin, banorët deklarojnë se nuk do të lejojnë vijimin e punimeve pa një sqarim të plotë institucional.
“Ne, si njerëz, si qytetarë, si fshatarë dhe si zotër të kësaj toke, nuk do të ikim”, është shprehur një prej tyre gjatë përplasjes së sotme. /bulqizaime.al
















