Kriza e strehimit në Spanjë është kthyer në një krizë politike që vë në rrezik pushtetin e kryeministrit Pedro Sánchez. Pas rrëzimit në parlament të masave të qeverisë për përballimin e qirave të papërballueshme dhe dëbimeve nga banesat, ai ka shpallur zgjedhje të parakohshme për më 29 nëntor, raporton Reuters.
Vendimi vjen mes protestave masive për strehimin dhe pakënaqësisë së qytetarëve ndaj kostos së banimit. Zgjedhjet parlamentare parashikoheshin të zhvilloheshin vitin e ardhshëm, përpara gushtit 2027, por bllokimi i paketës së strehimit e ka shtyrë Sánchez të kërkojë një mandat të ri.
Në deklaratën e tij, kryeministri bëri thirrje për një shumicë më të madhe progresiste në parlament, që do t’i mundësonte qeverisë të kapërcente pengesat dhe të zbatonte masa të reja sociale. Ai pranoi gjithashtu se kishte bërë gabime dhe se një pjesë e premtimeve elektorale nuk ishin përmbushur.
Për Sánchez, përballja e menjëhershme me votuesit është një bast i rrezikshëm. Sipas Reuters, Partia Socialiste mbetet prapa në sondazhe, ndërsa një qeveri e drejtuar nga Partia Popullore konservatore, me mbështetjen e së djathtës ekstreme Vox, shihet si rezultati më i mundshëm.
Megjithatë, Sánchez synon ta kthejë rrëzimin e masave të strehimit nga deputetët e djathtë në argument elektoral, duke mobilizuar qytetarët që kërkojnë ndërhyrje ndaj krizës.
Kështu, qiratë dhe mundësia për të siguruar një banesë po bëhen çështje përcaktuese për të ardhmen politike të Spanjës. Një humbje e socialistëve do t’i hapte rrugë largimit të Sánchez dhe pjesëmarrjes së Vox në qeverisjen qendrore. /skyweb.al
















