Gropa financiare që ka lënë Air Albania është e madhe dhe pasojat po shfaqen të plota në gjykatë. Kompania që u prezantua me bujë si transportuesi i flamurit shqiptar tashmë po kthehet në një “varrezë” detyrimesh ndaj të tretëve, nga faturat milionëshe të furnitorëve te pagat dhe sigurimet shoqërore të punonjësve.
Mes çështjeve të fundit është edhe padia e Dea D., një ish-stjuardese të njohur të kompanisë, e cila kërkon që Air Albania të shlyejë sigurimet shoqërore të papaguara për periudhën korrik 2024–janar 2025. Ajo kërkon gjithashtu dëmshpërblim në masën që do të përcaktojë gjykata dhe mbulimin e shpenzimeve gjyqësore e të avokatit.

Më herët, Skyweb.al ka raportuar gjerësisht për mospagesën e punonjësve të Air Albania, përfshirë rastin e inxhinierit turk të mirëmbajtjes së avionëve, Ali Osman Yildirim.
Në intervistën për Skyweb.al, ai tregonte se pagat vonoheshin prej muajsh, ndërsa disa punonjës jetonin me kursimet e tyre ose kërkonin punë në kompani të tjera ajrore.
Sipas Yildirimit, një pjesë e stafit i ishte drejtuar gjykatës, por kishte frikë të fliste publikisht, nga shqetësimi se kjo mund të ndikonte në proceset gjyqësore.
Përllogaritet deri më tani se detyrimet e kompanisë ndaj të tretëve janë miliona euro. /skyweb.al















