Kirurgu maksilofacial Ermal Pashaj ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme profesionale, duke marrë në Athinë titullin “Fellow of the European Board of Oro-Maxillo-Facial Surgery, Head and Neck Surgery” (FEBOMFS), një kualifikim europian që jepet pas një procesi të posaçëm vlerësimi profesional, akademik dhe klinik.
Diploma, e lëshuar më 14 shtator 2026 nga European Board of Oro-Maxillo-Facial Surgery, pjesë e strukturës së UEMS, vjen pas vlerësimit të zhvilluar në Athinë. Titulli FEBOMFS përfaqëson një kualifikim shtesë europian dhe një standard krahasues të kompetencës profesionale në këtë fushë.
Për të fituar titullin, kandidati kalon dy faza vlerësimi. Në të parën shqyrtohen CV-ja, aktiviteti akademik e shkencor, publikimet dhe regjistri i ndërhyrjeve kirurgjikale të kryera. Faza e dytë përfshin provimin me shkrim dhe atë oral, me raste klinike nga fusha të ndryshme të kirurgjisë maksilofaciale.
Pashaj mbërrin te ky titull me një profil profesional jo të zakonshëm. Ai ka përfunduar dy diploma universitare, në Mjekësi dhe Kirurgji dhe në Odontoiatri dhe Protezë Dentare, si dhe specializimin në Kirurgji Maksilofaciale. Në prill 2025 mori edhe gradën Doktor i Shkencave Mjekësore (PhD) në Universitetin Tor Vergata të Romës, me një punim mbi tumoret e kokës dhe qafës.
Karriera e tij ka ndërthurur praktikën klinike me mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. Pashaj është pjesë e Departamentit të Shkencave Kirurgjikale në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku ka ushtruar edhe funksione pedagogjike dhe tutoriale. Në formimin e tij përfshihen eksperienca klinike në Itali dhe Gjermani, mes tyre edhe një fellowship në kirurgjinë onkologjike të kokës dhe qafës.
Aktiviteti shkencor është një tjetër pjesë e profilit të tij. Vetëm gjatë vitit 2026, Pashaj figuron bashkautor në disa publikime ndërkombëtare, përfshirë një punim në Frontiers in Cell and Developmental Biology mbi përdorimin e derivateve të trombociteve në kirurgjinë orale dhe maksilofaciale, si dhe një studim mbi tumorin Warthin.
Mjeku që doli nga spitali në shesh
Por gjatë kësaj vere, emri i Ermal Pashajt u bë i njohur për një publik shumë më të gjerë se ai i auditorëve universitarë dhe sallave të kirurgjisë.
Pashaj ishte një nga zërat aktivë dhe oratorët e spikatur të protestës qytetare, duke folur në mënyrë të përsëritur nga podiumi dhe në media. Një nga mesazhet që ai ka përsëritur gjatë protestës është: “Ne kërkojmë shtet dhe jo pushtet.”
Në intervistat gjatë protestës, Pashaj e ka lidhur angazhimin e tij qytetar edhe me një dilemë që prek shumë profesionistë shqiptarë, largimin apo qëndrimin në Shqipëri.
Në ditën e 69-të të protestës ai këmbëngulte se lëvizja nuk kishte një destinacion partiak: “Vokacioni ynë nuk është një parti, por Shqipëria.”
Diploma më e fundit plotëson kështu një profil disi të pazakontë për jetën publike shqiptare: një kirurg me dy diploma, doktoraturë dhe kualifikim europian, i cili gjatë katër muajve të protestës ka zgjedhur që, krahas bisturisë, të përdorë edhe mikrofonin.
Në një kohë kur Shqipëria vazhdon të diskutojë largimin e mjekëve dhe profesionistëve të kualifikuar, Pashaj përfaqëson një histori në kahun tjetër: një mjek që mund ta ndërtojë karrierën edhe jashtë vendit, por që ka zgjedhur të investojë profesionalisht këtu dhe, kur e ka konsideruar të nevojshme, të protestojë po këtu.
















