Pensionistët që vazhdojnë të punojnë mund të përjashtohen për katër vjet nga pagesa e kontributeve të detyrueshme për degën e pensioneve. Një projektligj i dorëzuar në komisionet kuvendore synon të lehtësojë detyrimet e qytetarëve që përfitojnë pension pleqërie, por vijojnë të jenë aktivë në tregun e punës.
Nisma parashikon ndryshime në ligjin nr. 7703, datë 11 maj 1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Përjashtimi propozohet të zbatohet si për pensionistët e punësuar, ashtu edhe për ata që ushtrojnë veprimtari si të vetëpunësuar në tregti, profesione të licencuara apo zejtari, raporton ScanTV.
Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit 2026, rreth 145 mijë persona në pension vijonin të ishin aktivë në tregun e punës. Pensionistët dhe të moshuarit e punësuar përbënin rreth 12,2% të totalit të të punësuarve në vend.
Lehtësimi nuk përfshin të gjitha pagesat e sigurimeve. Ai lidhet vetëm me kontributet për degën e pensioneve, ndërsa detyrimet e tjera ligjore që rrjedhin nga punësimi apo aktiviteti ekonomik mbeten në fuqi.
Projektligji përcakton gjithashtu se koha gjatë së cilës pensionistët përjashtohen nga këto kontribute nuk do të njihet si periudhë sigurimi. Për rrjedhojë, ajo nuk do të shërbejë për rillogaritjen e pensionit ekzistues, shtesa apo përfitime të reja.
Propozimi synon të ulë kostot për pensionistët që vijojnë të punojnë dhe të nxisë punësimin e kësaj grupmoshe. Megjithatë, masa mbetet një nismë në shqyrtim dhe zbatimi i saj do të varet nga miratimi në Kuvend.
















