Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave i akordoi të martën shkencëtarit Francis Halzen Çmimin Nobel në Fizikë, për kontributet e tij vendimtare në Observatorin e Neutrinove IceCube dhe për zbulimin e neutrinove me energji të lartë me origjinë astrofizike.
Sipas akademisë, puna e Halzen ka ndihmuar në hapjen e një dritareje të re për studimin e universit. Komiteti Nobel i ka përshkruar neutrinot si “mesazhe fantazmë nga hapësira”, për shkak të aftësisë së tyre për të përshkuar materien dhe për të mbërritur në Tokë duke ruajtur informacion të rëndësishëm për burimin e tyre kozmik.
Ky është çmimi i dytë Nobel i shpallur këtë javë, pas Çmimit Nobel në Mjekësi, i cili iu dha tre shkencëtarëve për punën e tyre në fushën e optogjenetikës. Kjo teknologji ka kontribuar në kuptimin më të mirë të mënyrës se si funksionon truri.
Shuma e Çmimit Nobel këtë vit është 12 milionë korona suedeze, rreth 1.2 milionë dollarë ose 1 milion euro. Çmimi mund t’i akordohet një individi, një grupi të vogël laureatësh ose një organizate.
Çmimi Nobel në Fizikë është dhënë 119 herë për gjithsej 230 laureatë gjatë periudhës 1901–2025.
Vitin e kaluar, Çmimi Nobel në Fizikë iu dha tre shkencëtarëve për kërkimet mbi sjelljen e pazakontë të grimcave nënatomike, të njohur si tunelimi kuantik. Këto studime kanë kontribuar në zhvillimin e matjeve ultra të ndjeshme të përdorura në aparaturat MRI, si dhe kanë hedhur bazat për teknologji më të avancuara në telefonat celularë dhe kompjuterët e së ardhmes. /Skyweb.al
















