Moody’s Ratings e ka vlerësuar pozitivisht me “Ba1 dhe perspektivë pozitive” 4iG Távközlési Holding Zrt., kompaninë që bashkon aktivitetet e telekomunikacionit të grupit hungarez 4iG në Hungari dhe Ballkanin Perëndimor, përfshirë operatorin One Albania në Shqipëri.
Perspektiva pozitive pasqyron pritshmëritë për rritjen e përfitueshmërisë dhe përmirësimin e treguesve financiarë, duke krijuar mundësi për një ngritje të mëtejshme të vlerësimit. Moody’s rendit mes pikave të forta pozicionet kryesore në treg, infrastrukturën e gjerë në pronësi dhe aftësinë për të gjeneruar të ardhura.
Për tregun shqiptar, vlerësimi lidhet drejtpërdrejt me grupin që zotëron One Albania. Përmes këtij operatori dhe One Crna Gora, holdingu ka një prani të rëndësishme në Shqipëri dhe Malin e Zi. Në Hungari, përmes One Magyarország dhe 2Connect, ai është ofruesi i dytë më i madh i integruar i shërbimeve të telekomunikacionit.
Moody’s vlerëson se infrastruktura në pronësi, barrierat e larta për hyrjen e konkurrentëve të rinj dhe ofrimi i përbashkët i shërbimeve fikse e celulare mbështesin pozicionin konkurrues të holdingut. Rrjeti i tij përfshin mbi 20 mijë kilometra rrjet kryesor, rreth 900 kulla telekomunikacioni dhe më shumë se 5 mijë stacione bazë, krahas kapaciteteve të qendrave të të dhënave.
Agjencia evidenton gjithashtu rezultatet e integrimit të kompanive të blera gjatë viteve të fundit. Bashkimi i shërbimeve dhe rrjeteve, përmirësimi i eficiencës dhe realizimi i kursimeve nga ky integrim kanë mbështetur zhvillimin e biznesit.
Sipas parashikimeve të Moody’s, marzhi EBITDA i korrigjuar mund të jetë rreth 35% në vitin 2026 dhe të afrohet me 40% deri në vitin 2030. Përmirësimi pritet të mbështetet nga rritja e të ardhurave mesatare për përdorues, zgjerimi i rrjeteve optike dhe eficienca më e lartë e operimit. Përfundimi i investimeve të mëdha në rrjet pritet të mbështesë edhe forcimin e flukseve monetare.
Vlerësimi vjen ndërsa holdingu përgatitet për një emetim ndërkombëtar obligacionesh gjatë tetorit. Financimi synon kryesisht rifinancimin e kredive të përdorura për blerjen e kompanive të telekomunikacionit dhe mbështetjen e zgjerimit të mëtejshëm ndërkombëtar. Hyrja në tregun e obligacioneve mund të zgjerojë burimet e financimit dhe bazën e investitorëve.
Grupi 4iG është i listuar në Bursën e Budapestit dhe punëson mbi 11 mijë persona. Krahas aktivitetit në Hungari, Shqipëri dhe Malin e Zi, holdingu i telekomunikacionit po përgatit hyrjen në Maqedoninë e Veriut përmes një investimi të ri në rrjetin 5G. /skyweb.al















