Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur këtë të martë në SPAK, ndërsa vijojnë hetimet për tenderat e institucionit që ajo drejtonte.
Karçanaj ndodhet aktualisht nën masën “detyrim paraqitje”, pasi Gjykata e Lartë lehtësoi masën e mëparshme “arrest në shtëpi”. Ajo është një nga tetë personat ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurie në këtë dosje.
Në qendër të hetimit janë procedurat e 12 tenderave të AKSHI-t. Prokuroria e Posaçme dyshon për manipulim të garave, shkelje të barazisë mes operatorëve dhe favorizim të kompanive të caktuara.
View this post on Instagram
Krahas Karçanajt, masa sigurie janë marrë edhe ndaj Ergys Agasit, Ermal Beqirit, Hava Delibashit, Erion Ismailit, Andis Papës, Gëzim Hoxhës dhe Rogers Rrytës.
Hetimet kanë përfshirë kontrolle në banesa dhe ambiente biznesesh në Tiranë e Durrës, në funksion të mbledhjes së provave për veprimtarinë e dyshuar.
Veprat penale që hetohen në këtë dosje përfshijnë grupin e strukturuar kriminal, shkeljen e barazisë në tendera, korrupsionin, shpërdorimin e detyrës, pastrimin e parave dhe heqjen e paligjshme të lirisë. Dyshimet dhe përgjegjësitë individuale ndryshojnë sipas personave nën hetim.
Hetimi për procedurat tenderuese është zhvilluar për rreth një vit dhe vijon për të përcaktuar rolin dhe përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë.















