Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka finalizuar një veprim hetimor në Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, që ka çuar në arrestimin në flagrancë të një punonjësi të Policisë.
Në pranga ka rënë Inspektor Çlirim Torra, me detyrë SPZ pranë Stacionit të Policisë Prrenjas, në Komisariatin e Policisë Librazhd, DVP Elbasan.
Sipas AMP-së, nga veprimet hetimore dyshohet se punonjësi i Policisë ka marrë një shumë monetare me qëllim favorizimin e shtetasit me inicialet A.R., ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Dyshimet e hetimit janë se efektivi do t’i mundësonte këtij shtetasi shkeljen e masës së sigurisë dhe largimin nga banesa, duke abuzuar me funksionin e tij.
Në përfundim të veprimeve hetimore, ndaj Inspektor Çlirim Torrës rëndojnë dyshimet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Veprimet procedurale janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Elbasanit, ndërsa hetimi vijon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.
AMP thekson se do të vijojë me zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, si dhe ndaj çdo veprimi që cenon integritetin e punonjësve të strukturave ligjzbatuese.















