ChatGPT i OpenAI për adoleshentët u krijua për të nxitur një përdorim më të shëndetshëm të chatbot-it me inteligjencë artificiale (AI), por një studim i ri ka zbuluar se disa prej veçorive të rëndësishme të sigurisë nuk funksionojnë siç duhet.
Kompania e madhe e inteligjencës artificiale prezantoi në gusht një sërë masash mbrojtëse për adoleshentët, përfshirë kufizime ndaj varësisë emocionale dhe njoftime të reja për prindërit në rast të përdorimit problematik.
Të mërkurën, OpenAI deklaroi se përdorimi mesatar i ChatGPT nga adoleshentët është relativisht i kufizuar dhe priret të jetë i orientuar drejt aktiviteteve “mësimore”.
Megjithatë, një studim i publikuar po të njëjtën ditë nga organizata jofitimprurëse Common Sense Media zbuloi se ChatGPT ende paraqet një “rrezik të papranueshëm” për adoleshentët, pasi veçoritë e sigurisë, përfshirë njoftimin e prindërve për bisedat rreth vetëlëndimit, shpesh nuk funksionojnë.
Kur OpenAI prezantoi këtë verë atë që e quajti ChatGPT për adoleshentët, kompania tha se përdoruesit e identifikuar si 13 deri në 17 vjeç do të përfshiheshin automatikisht në “veçori që nxisin përdorimin e shëndetshëm dhe kontrolle shtesë për prindërit”.
Këto veçori përfshijnë pengimin e përdoruesve adoleshentë të ChatGPT që të përfshihen në biseda romantike apo përdorim të gjuhës që mund të nxisë “varësi emocionale”, përfshirë ndalimin e mjetit që të lërë të kuptohet se është në ndonjë mënyrë i ndërgjegjshëm.
Gjithashtu, ka kufizime për imazhet seksualizuara dhe “kujtesa” për adoleshentët në rast se ata ndajnë një imazh që konsiderohet “i ndjeshëm”.
Këto veçori synojnë gjithashtu t’u mundësojnë prindërve të marrin njoftime, nëse e kanë lidhur llogarinë e fëmijës së tyre në ChatGPT me llogarinë e tyre, për biseda që përfshijnë diskutime rreth vetëlëndimit ose çrregullimeve të të ushqyerit.
OpenAI tha se këto masa kanë sjellë një rritje të përdorimit të ChatGPT nga adoleshentët për qëllime mësimore, nga ndihma për studime deri te këshillat për detyrat dhe punët e shkollës.
















