Kostot e larta të karburantit po detyrojnë kompanitë ajrore me kosto të ulët të reduktojnë fluturimet ose të paralajmërojnë bileta më të shtrenjta. EasyJet ka njoftuar një tjetër shkurtim të kapacitetit për dimrin, ndërsa Ryanair pret që rritja e tarifave të vazhdojë në muajt e ardhshëm.
EasyJet do të heqë edhe 700 mijë vende nga programi dimëror, pas një reduktimi të së njëjtës përmasë të njoftuar më herët këtë vit. Në total, kompania do të ofrojë 1.4 milionë vende më pak gjatë periudhës tetor 2026–mars 2027.
Ndërkohë, drejtuesi i Ryanair, Michael O’Leary, paralajmëroi se kompanitë ajrore do t’ua kalojnë pasagjerëve një pjesë të kostove të shtuara.
“Kompanitë ajrore nuk mund të mbijetojnë nëse nuk i pasqyrojnë këto kosto jashtëzakonisht të larta të karburantit në tarifa më të larta. Klientët do të duhet të paguajnë”, tha ai gjatë një konference të Airlines for Europe.
Megjithëse çmimet e karburantit kanë nisur të zbuten pas rritjes së shkaktuar nga lufta me Iranin, karburanti për avionët mbetet rreth 50% më i shtrenjtë se përpara konfliktit. Këto nivele pritet të vazhdojnë edhe për 12–18 muaj.
O’Leary kishte deklaruar më herët se biletat për verën e ardhshme mund të kushtojnë deri në 20% më shumë. Paralajmërimi i fundit sugjeron se presioni mbi kostot dhe tarifat mund të zgjasë më shumë se një vit tjetër, me pasoja që mund të shtrihen edhe në vitin 2028.
Nga ana e saj, easyJet tha se ndryshimet përbëjnë një pjesë shumë të vogël të programit të fluturimeve. Sipas kompanisë, shkurtimet planifikohen paraprakisht dhe zakonisht prekin linja me disa fluturime në ditë, në mënyrë që pasagjerët të mund të kalojnë më lehtë në një fluturim alternativ. /skyweb.al















