Ish-kryeministri i Italisë, Enrico Letta, tha gjatë Forumit të Shoqërisë Civile dhe Think Tankeve 2026 në Prishtinë se integrimi europian duhet të sjellë rezultate konkrete në jetën e qytetarëve. Ai theksoi se vendet kandidate mund të përfitojnë nga tregu i përbashkët edhe përpara anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.
Letta shpjegoi se ndarja e tregjeve europiane po dobëson ekonominë dhe pavarësinë e Europës. Sipas tij, zgjerimi i BE-së dhe thellimi i tregut të përbashkët duhet të ecin së bashku. Vendet kandidate duhet të forcojnë edhe bashkëpunimin me njëra-tjetrën, në mënyrë që integrimi të mos mbetet vetëm një marrëdhënie e secilit vend me Brukselin.
Fjala e Enrico Lettës
Dua të ndaj me ju disa mendime për dy çështje: Zhvillimin e tregut të përbashkët brenda Bashkimit Europian dhe lidhjen e tij me zgjerimin.
Kur mora ftesën për këtë forum, axhenda ime ishte e mbushur. Po përpiqesha të ndryshoja angazhimet, por vendosa t’i anuloja kur pashë titullin e aktivitetit: “Prova, jo premtime”.
Mendoj se këtë moto duhet ta vendosim në hyrje të institucioneve të Bashkimit Europian, kudo në Europë. Ajo shpreh qartë atë që na duhet sot: të përshpejtojmë punën dhe të japim rezultate.
Rezultatet janë fjala kyçe. Nëse ajo që bëjmë në nivel europian nuk sjell rezultate, rrezikojmë të humbasim besimin te Europa dhe te ëndrra europiane.
Në vendet anëtare dhe në vendet përreth tyre po shtrohet e njëjta çështje: a është Europa në gjendje të përmbushë atë që premton? Presioni është i madh. Në pjesë të tjera të botës, sisteme demokratike dhe më pak demokratike po tregojnë se mund të veprojnë shpejt. Përshtypja se jashtë Europës vendimet zbatohen më shpejt po dobëson kohezionin e Bashkimit Europian.
Prandaj duhet të fillojmë nga zbatimi. Raporti im dhe raporti i Draghit u publikuan në vitin 2024. Ajo që duhej të pasonte ishte kalimi nga rekomandimet te veprimi.
Sot jam pak më optimist se një vit më parë. Viti 2025 ishte një vit i humbur në shumë drejtime. Drejtuesit europianë menduan se dinin si të përballeshin me mandatin e dytë të Trumpit. Nuk kuptuan se ky mandat do të ishte ndryshe nga i pari. U desh një vit për të kuptuar situatën e re dhe për të përshtatur qëndrimin e Europës.
Procesi i zbatimit të raporteve nisi në vitin 2026. Në shkurt, mua dhe Draghin na ftuan në takimin e Këshillit Europian. Më pas, më 24 prill, drejtuesit europianë miratuan në Qipro planin “Një Europë, një treg”.
Këto zhvillime shpesh mbeten jashtë vëmendjes publike. Debati për Europën përqendrohet te emigracioni, konfliktet dhe luftërat. Sigurisht që këto janë çështje të rëndësishme, por ndërkohë duhet të ecim më shpejt drejt një Bashkimi Europian më të integruar dhe më të gjerë. Ky është objektivi ynë kryesor.
Tregu i përbashkët u krijua në një periudhë ndryshimesh të jashtëzakonshme, të lidhura me rënien e Murit të Berlinit. Ishte një kohë plot energji. Unë isha i ri dhe angazhimi im europian nisi pikërisht atëherë.
Sot, për arsye të tjera, po kalojmë një moment të ngjashëm transformimi. Ashtu si atëherë u mbyll një periudhë tridhjetëvjeçare, edhe tani po përfundon një tjetër periudhë tridhjetëvjeçare në marrëdhëniet ndërkombëtare, në ekonomi dhe në politikën botërore.
Zhvillimet e sotme po na detyrojnë të përballemi me probleme që i njihnim prej kohësh, por për të cilat nuk vepruam.
E dinim se Europës i duhej sistemi i saj i sigurisë. E dinim se ishim të varur në energji. E dinim se ndryshimet teknologjike po transformonin botën. Megjithatë, nuk bëmë atë që nevojitej.
Në vitet ’90, ne, europianët, u shisnim amerikanëve telefonat tanë celularë. Teknologjia GSM ishte europiane. Në telefoninë celulare dhe në teknologjitë e komunikimit, Europa ishte udhëheqëse. Gjatë tridhjetë viteve që pasuan, e pamë se situata po ndryshonte, por nuk reaguam siç duhej.
E dinim gjithashtu se po humbisnim pavarësinë financiare. Në Europë nuk kemi një treg të vetëm financiar. Kemi 27 tregje të ndara. Shërbimet financiare nuk u integruan në fillim të procesit dhe kjo ndarje vazhdon edhe sot.
Pasojat janë të dukshme. Dymbëdhjetë vjet më parë, banka më e madhe europiane ishte sa gjysma e bankës më të madhe amerikane. Sot është sa një e teta e saj.
Në ekonominë reale, Europa përfaqëson 17% të prodhimit të brendshëm bruto botëror, ndërsa Shtetet e Bashkuara 25%. Në këtë fushë jemi ende të krahasueshëm, sepse kemi tregun e përbashkët dhe lëvizjen e lirë të mallrave e të njerëzve.
Por kur shohim vlerën e kompanive të listuara në bursa, situata ndryshon. Pesha e Europës është 11% e kapitalizimit botëror dhe ndahet mes 27 tregjeve. Pesha e Shteteve të Bashkuara është 60%, në një treg të vetëm.
Pra, ndarja e tregjeve tona na kushton. Po humbasim terren dhe mundësi për shkak të fragmentimit.
Po ju jap një shembull nga jeta e përditshme. Një italian nuk përdor një kartë krediti franceze; një francez nuk përdor një kartë gjermane; një gjerman nuk përdor një kartë spanjolle. Ndërkohë, të gjithë përdorim karta amerikane, edhe kur transaksioni zhvillohet në Europë, mes një konsumatori europian dhe një shitësi europian.
Mund të jemi duke blerë një picë, pra një produkt italian. Meqë ra fjala, kur shkon në Amerikë të thonë “pica origjinale amerikane”. Jo, të paktën picën na e lini!
Këta shembuj tregojnë sa shumë ka ndryshuar bota. Po përjetojmë një ndryshim të plotë, të krahasueshëm me atë të tridhjetë e pesë apo dyzet viteve më parë.
Edhe disa prej fuqive më të mëdha po ndryshojnë qëndrimin ndaj pjesës tjetër të botës. Zhvillimet në Shtetet e Bashkuara, në Kinë dhe në Rusi janë të ndryshme nga njëri-tjetri, por të gjitha kanë pasoja për Europën.
Kjo është arsyeja pse duhet të veprojmë tani. Zbatimi i raporteve duhet ta bëjë Europën më të fortë, më të qëndrueshme përballë goditjeve dhe më të pavarur. Duhet të jemi të aftë të marrim vendimet tona, pa u diktuar nga varësitë që kemi ndaj të tjerëve.
Agresioni rus ndaj Ukrainës e tregoi këtë nevojë. Edhe kriza në ngushticën e Hormuzit tregoi sa të ekspozuar jemi. Ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit kanë pasoja të mëdha ekonomike dhe na detyrojnë të mendojmë si të mbrohemi.
Vendet europiane po përballen me inflacionin dhe me tensione shoqërore. Rritja e çmimeve ushqen pakënaqësinë dhe protestat. Në këtë rast, kemi importuar inflacion për shkak të zhvillimeve jashtë Europës, të cilat nuk i kontrollojmë dhe nuk jemi në gjendje t’i menaxhojmë.
Në gjashtë muajt e fundit kemi dëgjuar tetë herë nga Shtëpia e Bardhë se problemi i Hormuzit ishte zgjidhur. Tani presim njoftimin e nëntë. Ndërkohë, problemi vazhdon dhe ne paguajmë çmimin.
Prandaj na duhet një Europë që mund të garantojë pavarësinë dhe sigurinë e saj. E dimë çfarë duhet të bëjmë. Vështirësia është ta bëjmë. Për këtë arsye dua ta çoj në Bruksel moton tuaj: “Prova, jo premtime”. Ajo vlen si për 27 vendet e BE-së, ashtu edhe për procesin e zgjerimit.
Plani “Një Europë, një treg”, i miratuar më 24 prill në Qipro, përmban 42 masa për integrimin e tregut të përbashkët. Ato duhet të na ndihmojnë të jemi më të bashkuar dhe më të pavarur, duke ruajtur identitetet tona kombëtare.
Shembulli më i mirë është euroja. Ajo është një nga arritjet më të mëdha të integrimit europian. Europa respektohet në botë edhe sepse ka një monedhë të përbashkët. Me 27 monedha të veçanta, pesha jonë do të ishte krejt tjetër.
Kalimi në euro nuk ishte i lehtë. E kujtoj mirë, sepse isha sekretar i përgjithshëm i komitetit për kalimin në euro në Itali. Kishte kundërshtime në të tria ekonomitë më të mëdha europiane: në Gjermani, në Francë dhe në Itali.
Për Gjermaninë, heqja dorë nga marka, një monedhë shumë e fortë, ishte një zgjedhje e madhe dhe largpamëse e kancelarit Kohl. Për Francën, franga ishte pjesë e identitetit kombëtar. Edhe emri i monedhës lidhej me emrin e vendit. Në Itali e kisha më të vështirë ta kuptoja kundërshtimin, sepse lira nuk ishte një monedhë nga e cila duhej të ishte aq e vështirë të hiqnim dorë. Megjithatë, edhe atje pati vështirësi.
Sot, 25 vjet më vonë, 80% e qytetarëve në vendet tona nuk duan të kthehen te monedhat e mëparshme. Kemi kuptuar se euroja na mbron. Unë mbetem italian, përdor euron dhe jam më i fortë falë saj. E njëjta gjë vlen për të tjerët.
Ky është modeli që duhet të ndjekim: të qëndrojmë së bashku dhe të përdorim instrumente të përbashkëta, duke ruajtur identitetin e secilit vend.
Duhet të kuptojmë edhe sa kanë ndryshuar përmasat ekonomike të botës. Kur u krijua tregu i përbashkët, vendet europiane konsideroheshin vende të mëdha ose të mesme. Sot, përballë Kinës, Indisë, vendeve të BRICS-it dhe fuqisë amerikane në financa, teknologji e inteligjencë artificiale, të gjitha vendet europiane janë të vogla.
Ky është një nga problemet kryesore të mënyrës si e shohim veten. Unë them shpesh se në Europë kemi dy grupe vendesh: vendet e vogla dhe vendet që ende nuk e dinë se janë të vogla.
Disa vazhdojnë të mendojnë se, të vetme, mund të jenë në të njëjtin nivel me Kinën, Indinë ose Shtetet e Bashkuara. Kjo mënyrë të menduari do të kishte pasoja të rënda për të gjithë ne.
Po marr shembullin e Italisë. Në fund të viteve ’80, kur u krijua tregu i përbashkët, Italia, me 60 milionë banorë, kishte një ekonomi sa Kina dhe India së bashku. Sot, ekonomitë e Kinës dhe Indisë së bashku janë njëzet herë më të mëdha se ajo italiane. Ndryshimi i peshës relative prek edhe Francën, Gjermaninë, Spanjën dhe vendet e tjera europiane.
Për këtë arsye, integrimi është mënyra e vetme për të arritur përmasat që na duhen përballë fuqive të mëdha. Ai është thelbësor për konkurrueshmërinë, sigurinë ekonomike dhe pavarësinë tonë financiare e teknologjike.
Plani me 42 masa ka hyrë në fazën e zbatimit. Ai përfshin rrjetin energjetik europian, rregulla më të thjeshta të përbashkëta për bizneset përmes të ashtuquajturit “regjim i 28-të”, Bashkimin e Kursimeve dhe Investimeve për integrimin e tregjeve financiare, si edhe masat për lidhjen e tregjeve dhe të infrastrukturës.
Një nga masat është edhe Akti për Përshpejtimin Industrial. Europës i duhet një politikë industriale që i ndihmon kompanitë të rriten dhe të veprojnë në një shkallë më të madhe.
Kjo rritje u shërben edhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Shpesh, ato zhvillohen me sukses rreth një kompanie të madhe, e cila krijon një mjedis ku bashkëpunojnë shumë biznese më të vogla.
Problemi është se Europa ka shumë kompani të mëdha të mbrojtura në nivel kombëtar, të cilat nuk arrijnë të bëhen kompani të mëdha në nivel europian.
Një shembull i thjeshtë: disa ditë më parë u përpoqa të bleja në internet një abonim për metronë e Parisit. Pa një numër telefoni francez, nuk mund ta bëja. Pse nuk mund të përdorja numrin tim italian, kur jemi pjesë e të njëjtit treg të përbashkët?
Një kusht i tillë mbron operatorët francezë të telekomunikacionit. Praktika të ngjashme gjenden në Spanjë, Itali, Gjermani dhe gjetkë. Këto pengesa shfaqen në jetën e përditshme dhe kufizojnë mundësinë e kompanive për t’u zgjeruar në tregun europian.
Ndërkohë, kompanitë që mbështeten vetëm te tregjet kombëtare po humbasin terren. Na duhen kompani që mund të konkurrojnë në përmasa europiane. Airbus është i suksesshëm sepse kemi një Airbus, jo 27 kompani Airbus. Ky është një nga shembujt më të rëndësishëm dhe tregon pse Akti për Përshpejtimin Industrial mund të luajë një rol.
Çfarë do të thotë e gjithë kjo për zgjerimin e Bashkimit Europian?
Tregu i përbashkët është vendimtar për zgjerimin, ashtu siç ishte edhe për zgjerimin e mëparshëm të madh. Ai krijon ndjesinë se je pjesë e një hapësire të përbashkët. Prandaj raportit tim i vendosa titullin “Shumë më tepër se një treg”.
Nuk doja një titull të zakonshëm si “Raport për të ardhmen e tregut të përbashkët”, që vështirë se do ta tërhiqte lexuesin. Por kishte edhe një arsye shumë më të rëndësishme.
Tri muaj përpara se Jacques Delors të ndërronte jetë, në vitin 2023, e takova për t’i kërkuar këshilla. Sapo më ishte besuar hartimi i raportit për tregun e përbashkët, projektin që ai kishte ndërtuar. Delors ishte arkitekti i tregut të përbashkët dhe i euros.
Ai më dha dy këshilla themelore. E para: tregu i përbashkët dhe politika e kohezionit duhet të ecin së bashku. Nuk mund të ketë një treg të përbashkët që funksionon pa një politikë efektive kohezioni.
E dyta: të mos mbyllesha në një ndërtesë në Bruksel për të shkruar raportin. Duhej të udhëtoja në vendet anëtare dhe të takoja njerëzit, sepse tregu i përbashkët ka të bëjë me njerëzit.
E ndoqa këtë këshillë. Udhëtova në të gjithë Europën, përfshirë vendet kandidate. Këto takime ma konfirmuan se tregu i përbashkët lidhet drejtpërdrejt me jetën e përditshme.
Në një takim në Lituani më kërkuan ta shpjegoja me një shembull nga jeta ime.
Kam jetuar jashtë Italisë në periudha të ndryshme. Në vitet ’70, para krijimit të tregut të përbashkët, babai im jepte mësim në universitetin e Strasburgut dhe familja jonë jetonte atje. Shumë vite më vonë, u zhvendosa me familjen në Paris, ndërsa sot jetoj në Madrid.
Dallimi është i thjeshtë. Në vitet ’70 ishim një familje emigrantësh italianë në Alsasë. Në vitet e fundit ishim një familje qytetarësh europianë që kishin zgjedhur të jetonin në Paris në vend të Milanos apo Romës.
Ky ndryshim ka rëndësi të jashtëzakonshme. Tregu i përbashkët do të thotë të gëzosh të drejta të plota si qytetar dhe të mos ndihesh emigrant brenda Bashkimit tënd Europian.
Ky është mesazhi më i rëndësishëm edhe për zgjerimin e tregut të përbashkët. Që në fillim kam mbështetur në Bruksel idenë që ai të jetë një nga shtyllat kryesore të zgjerimit të BE-së. Në Institutin Jacques Delors kemi punuar për t’i lidhur këto dy procese.
Nëse zgjerimi perceptohet vetëm si një grup rregullash të përgjithshme ose si vendime të largëta, që nuk ndikojnë në jetën e njerëzve, humbasim ndjesinë e përkatësisë europiane. Kjo vlen si për qytetarët e vendeve kandidate, ashtu edhe për ata të vendeve anëtare.
Tregu i përbashkët mund ta bëjë integrimin pjesë të jetës së qytetarëve të vendeve kandidate edhe përpara anëtarësimit formal. Kështu kalojmë nga premtimet te rezultatet që njerëzit mund t’i përjetojnë vetë.
Në Bruksel po shoh më shumë vetëdije për këtë mundësi. Kjo më jep arsye për optimizëm.
Por duhet të korrigjojmë edhe një gabim të zgjerimit të mëparshëm. Unë e kam studiuar këtë proces; doktoraturën time e kam bërë për zgjerimin. Zgjerimi i mëparshëm i madh ishte një sukses, por kishte një mangësi që po e përsërisim.
U përqendruam te marrëdhënia e secilit vend kandidat me Brukselin dhe nuk i kushtuam vëmendjen e duhur marrëdhënieve mes vetë vendeve kandidate.
Hapja ndaj vendeve fqinje është një përgatitje për të jetuar së bashku brenda Bashkimit Europian. Nuk mund të duam të afrohemi me Brukselin, ndërsa refuzojmë bashkëpunimin me fqinjin. Fryma e BE-së kërkon që vendet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.
Në zgjerimin e mëparshëm nuk krijuam një bashkëpunim të mjaftueshëm mes vendeve kandidate. Këtë gabim e kemi përsëritur edhe në vitet e fundit.
Kur procesi mbetet i ndarë në marrëdhënie të veçanta me secilin vend, shtetet anëtare që janë më pak të hapura ndaj zgjerimit mund të gjejnë shumë probleme dhe hollësi për ta ngadalësuar atë.
Por nëse krijojmë tregje të përbashkëta që funksionojnë mes vendeve kandidate, kjo do ta ndryshojë situatën. Duhet të veprojmë shpejt në këtë drejtim. Për këtë arsye e kam përfshirë në raport dhe këmbëngul që vendet kandidate ta përvetësojnë që tani mënyrën e bashkëpunimit që kërkon tregu i përbashkët.
Kjo do të jetë vendimtare për të arritur më vonë rezultatin e anëtarësimit. Këtu shoh të njëjtën frymë dhe do të dëshiroja që prania ime të ishte fillimi i një pune të përbashkët për muajt dhe vitet e ardhshme.
Tregu i përbashkët mbështetet te katër liri: lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Në raportin tim kam propozuar një liri të pestë, atë të dijes, që përfshin kërkimin, aftësitë dhe burimet jomateriale.
Kjo mungonte në fillim dhe është thelbësore për tregun e përbashkët të sotëm. Është gjithashtu një ide që mund të lidhet shumë mirë me diskutimet që po zhvilloni në këtë pjesë të Europës.
Për ta çuar përpara këtë proces, na duhet shoqëria civile. Unë jam pjesë e saj: drejtoj një institut studimor në Paris dhe jam dekan i një universiteti në Madrid.
Me Institutin Jacques Delors, universitetet, institutet studimore dhe organizatat e shoqërisë civile po ndërtojmë një platformë në Europë. Qëllimi është t’u kërkojmë drejtuesve europianë ta përshpejtojnë zbatimin. Dua që kjo platformë të shtrihet edhe në vendet kandidate.
Do të zhvillojmë aktivitete në kryeqytetet europiane. I pari do të jetë të hënën e ardhshme në Romë. Në nëntor do të jemi në Bukuresht, ndërsa në dhjetor në Paris, Stokholm dhe Berlin.
Këto pesë aktivitete, deri në fund të këtij viti, duhet t’u kërkojnë drejtuesve kombëtarë që të mos e ndalin procesin dhe drejtuesve europianë që ta trajtojnë si një çështje themelore për të ardhmen. Shoqëria civile duhet të ketë një rol aktiv. Vitin e ardhshëm do të vazhdojmë me aktivitete të tjera.
Burimet tona janë të kufizuara, siç ndodh zakonisht me shoqërinë civile. Megjithatë, do të isha shumë i kënaqur nëse kësaj nisme do t’i bashkoheshin edhe vendet kandidate. Së bashku mund t’u tregojmë drejtuesve në Bruksel dhe në kryeqytetet tona se bashkëpunimi na bën më të fortë.
Dua ta mbyll me një mendim për kufijtë.
Sot po shohim një rikthim të rolit ndarës të kufijve. Por tregu i përbashkët tregon se kufijtë mund të bëhen hapësira bashkëpunimi.
Gjatë punës për raportin kam udhëtuar nëpër vendet europiane dhe kam kaluar kufij që sot shpesh nuk i vëmë re. Megjithatë, kur i kalojmë, duhet të kujtojmë se në ato vende kanë humbur jetën qindra mijëra të rinj. Shumë prej tyre nuk arritën të mbushnin njëzet vjeç.
Kjo është historia që na kanë treguar gjyshërit dhe prindërit tanë. Në familje me shtatë, tetë apo nëntë fëmijë, një, dy ose tre djem dërgoheshin në moshën nëntëmbëdhjetë apo njëzet vjeç për të vrarë ose për t’u vrarë.
Humbisnin jetën që një kufi të zhvendosej tridhjetë kilometra në lindje ose njëzet kilometra në perëndim. Unë jam rritur në Strasburg dhe e di çfarë do të thotë kjo. E njëjta gjë ndodhte në Brenner, për ta zhvendosur kufirin tridhjetë kilometra në veri ose njëzet kilometra në jug.
Ata vdiqën për kufij që sot, kur udhëtojmë, pothuajse nuk i dallojmë. Integrimi europian e ka nxjerrë këtë përvojë nga marrëdhëniet mes vendeve të Bashkimit Europian. Kjo është arritja e tij më e madhe.
Sot, familjet ukrainase dhe ato ruse po përjetojnë përsëri humbjen e të rinjve. Është e qartë se njëra palë është agresori dhe tjetra e sulmuara. Por familjet në të dyja anët po humbasin fëmijët, ashtu siç ndodhte dikur në familjet tona.
Europa përfaqëson tejkalimin e kësaj historie. Për këtë arsye është shumë më tepër se një treg.
Dua t’ju kërkoj të më ndihmoni që europianët dhe drejtuesit e tyre të kenë më shumë besim e krenari për rolin e Europës në botë.
Kur flet me një amerikan, republikan apo demokrat, zakonisht të thotë se Amerika është e madhe. Kur flet me një europian, në Bruksel apo në kryeqytete të tjera, shpesh dëgjon se Europa është një katastrofë. Do të dëshiroja që ne, europianët, të ishim më krenarë për atë që kemi ndërtuar.
Po ju lë me një shembull të fundit. Tri javë më parë, në Strasburg, Mark Carney u tha europianëve: “Edhe pse gjeografikisht nuk jemi në Europë, ne jemi Europë. Duam të jemi Europë.”
Mendoj se ky është një nga mesazhet më të rëndësishme edhe për procesin e zgjerimit.
Faleminderit shumë. /skyweb.al
















