Presidenti i Republikës Bajram Begaj, priti në Pallatin e Brigadave Senatorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Jeanne Shaheen dhe z. Dick Durbin, të cilët i dekoroi me titullin e lartë “Komandar i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”. Senatorët shoqëroheshin në këtë takim nga Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, z. Eric Wendt.
Në takimin me Senatorët amerikanë, Presidenti i Republikës vlerësoi partneritetin strategjik dhe aleancën e qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbështetur në vlera të përbashkëta demokratike dhe angazhimin për sigurinë Euroatlantike. Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Shqipërisë në proceset e integrimit Euroatlantik, forcimit të institucioneve demokratike, reformës në drejtësi dhe rritjes së kapaciteteve mbrojtëse. Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit në kuadër të NATO-s dhe, gjithashtu, rëndësinë e pranisë dhe angazhimit të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe perspektivës Euroatlantike të rajonit, si dhe kontributin e tyre në sigurinë e Kosovës përmes misionit të KFOR-it.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua Bordit të Paqes, ku Shqipëria mbështet nismat ndërkombëtare që synojnë dialogun dhe bashkëpunimin.
“Bashkëpunimi i shkëlqyer politik krijon mundësi për konkretizim të bashkëpunimit në fusha, si: energjia, investimet, mbrojtja, mbrojtja kibernetike dhe infrastruktura”, – u shpreh Presidenti Begaj.
Gjatë ceremonisë së dekorimit Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e veçantë të senatorëve amerikane në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për integrimin euroatlantik të Shqipërisë, paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti i Republikës u akordoi të dy senatorëve dekoratën “Komandar i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”.















