Shqipëria dhe Greqia ruajnë marrëdhënie të mira fqinjësore, të cilat synojnë t’i forcojnë më tej përmes bashkëpunimit ekonomik, rajonal, akademik dhe në fushën e sigurisë. Ky mesazh u përcoll në Forumin Strategjik të Ballkanit, të mbajtur në Tiranë, me pjesëmarrjen e delegacioneve shqiptare dhe greke.
“Me Shqipërinë ekzistojnë mundësi edhe më të mëdha për zhvillimin e këtyre formave të bashkëpunimit. Kjo, sepse urat që lidhin dy vendet tona janë ndërtuar prej kohësh. Ato kalojnë përmes minoritetit kombëtar grek që jeton në Shqipëri, ashtu siç kalojnë edhe përmes komunitetit të fuqishëm shqiptar që jeton në Greqi. Synimi ynë është të ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë të përbashkët. Pikërisht për këtë arsye ndodhemi sot këtu”, tha Konstantinos Gioulekas, zëvendësministër i Brendshëm i Greqisë.
Edhe përfaqësuesit e qeverisë shqiptare ndanë të njëjtin vlerësim për potencialin e bashkëpunimit mes dy vendeve në sektorë si ekonomia, sipërmarrja dhe arsimi, si dhe në nivelin e qeverisjes vendore, rajoneve dhe bashkive.
“Greqia është de facto partneri strategjik i Shqipërisë. Ne po vijojmë punën për ta çuar më tej përparimin e arritur në marrëdhëniet dypalëshe”, u shpreh kreu i Parlamentit Niko Peleshi.
“Shqipëria dhe Greqia po zbatojnë së bashku 20 projekte, me një vlerë të përgjithshme prej 25 milionë eurosh, të cilat prekin fusha që lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve”, tha Ervin Demo, ministër i Brendshëm.
Për delegacionin grek, kjo nismë nuk kufizohet vetëm te Shqipëria, por shtrihet edhe në vendet e tjera të rajonit, duke i dhënë Ballkanit një rëndësi të veçantë në forcimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe të bashkëpunimit rajonal. /Euronews.al
















