Targa “7777” është kombinimi më i shtrenjtë në ankandin e parë elektronik të targave të personalizuara, me çmim fillestar 650 mijë lekë. Shuma përfundimtare mund të rritet gjatë garës mes ofertuesve.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka hapur regjistrimet për gjashtë kombinime, të cilat do të shiten përmes platformës online. Për herë të parë, përzgjedhja e këtyre targave bëhet me ankand elektronik.
Pas “7777”, çmimin më të lartë fillestar e ka kombinimi “Q888Q”, me 240,800 lekë. Targa “QU33N” nis nga 222,600 lekë, ndërsa “M0N3Y” nga 210 mijë lekë.
Për kombinimin “L0ND0N”, çmimi fillestar është 204 mijë lekë. “K0S0VA” ka vlerën më të ulët mes gjashtë targave të këtij ankandi, me 184,800 lekë.
Regjistrimet për pjesëmarrje janë të hapura deri më 26 tetor 2026, në orën 23:59. Faza e ofertimit do të nisë më 29 tetor, në orën 10:00, dhe do të përfundojë më 5 nëntor, në të njëjtën orë.
Procesi zhvillohet në platformën ankandi.dpshtrr.al. Në përfundim, secila targë do t’i kalojë pjesëmarrësit që paraqet ofertën më të lartë të vlefshme, sipas rregullave të ankandit.
















