Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja të shitjes së karburanteve në vend. Sipas vendimit të marrë këtë të mërkurë, më 14 tetor, çmimi i naftës me pakicë nuk do të jetë më shumë se 213 lekë për litër, ndërsa benzina do të shitet me një çmim maksimal prej 190 lekësh për litër.
Sipas vendimit të Bordit, çmimi i shitjes me shumicë për gazoilin është përcaktuar në jo më shumë se 201 lekë për litër, ndërsa për benzinën në jo më shumë se 178 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi këtë të mërkurë, në orën 14:00, dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të rishikohen në varësi të ndryshimeve të çmimeve të shitjes.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për zbatimin e vendimit, duke paralajmëruar se për shkeljet e konstatuara mund të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Vendimi është marrë në kuadër të masave për kufizimin e përkohshëm të çmimeve të nënprodukteve të naftës dhe gazit, në kushtet e situatës së veçantë të shpallur në tregun e hidrokarbureve.















