Bizneset që shkelin të drejtat e konsumatorëve do të përballen me hetime dhe urdhra për ndërprerjen e shkeljeve nga një institucion i ri qendror. Këto kompetenca parashikohen në projektligjin “Për mbrojtjen e konsumatorit”, të cilin qeveria e ka dërguar në Kuvend për miratim.
Drafti propozon ngritjen e Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit (AKMK), e cila do të nisë hetime si pas ankesave, ashtu edhe me nismën e vet. Agjencia do të ketë të drejtën të urdhërojë me shkrim ndërprerjen e shkeljeve dhe të mbikëqyrë nëse operatorët ekonomikë i zbatojnë vendimet e saj.
Kontrollet do të përfshijnë tregun e produkteve joushqimore dhe ofrimin e shërbimeve. Nga kjo mbikëqyrje përjashtohen sektorët që, sipas legjislacionit në fuqi, kontrollohen nga institucione të tjera kompetente.
Për konsumatorët dhe bizneset, institucioni i ri do të ofrojë edhe një rrugë alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. AKMK-ja do të zhvillojë procedurat dhe do të marrë vendimet përkatëse. Për çështjet që prekin interesin kolektiv të konsumatorëve, vendimmarrja do të mbështetet te gjetjet dhe përfundimet e komisionit të posaçëm.
Një tjetër përgjegjësi e agjencisë do të jetë bashkërendimi i punës së institucioneve që merren me mbrojtjen e konsumatorit. Ajo do të shërbejë si zyra e vetme e koordinimit, duke lidhur veprimtaritë hetimore dhe masat për zbatimin e ligjit të autoriteteve kompetente dhe organeve të tjera publike.
Ky koordinim do të kryhet edhe me kërkesë të autoriteteve shqiptare apo të huaja. Agjencia do të ndjekë masat hetimore dhe do të koordinojë përgatitjen, shpërndarjen e mbledhjen e informacionit, me qëllim hetimin efektiv dhe ndërprerjen ose ndalimin e shkeljeve.
AKMK-ja do të monitorojë gjithashtu zbatimin e ligjit për mbrojtjen e konsumatorit dhe të akteve të tjera detyruese e nënligjore që prekin të drejtat dhe interesat e tij.
Në krye të institucionit do të jetë drejtori i përgjithshëm, i cili do të organizojë veprimtarinë e agjencisë dhe do të përgjigjet përpara ministrit përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorit. Pranë saj do të funksionojë Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit, ndërsa struktura organizative do të miratohet me urdhër të Kryeministrit.















