Kryeministri Edi Rama paralajmëroi masa financiare dhe administrative ndaj të miturve të përfshirë në akte dhune gjatë protestave, si dhe pasoja për studentët që braktisin mësimin për të sulmuar Policinë e Shtetit.
Gjatë një komunikimi me drejtuesit e Policisë së Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Rama deklaroi se familjet e të miturve mund të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara, nëse nuk përmbushin detyrimet e tyre për kujdesin ndaj fëmijëve.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu ndërprerjen e bursave dhe të mbështetjes financiare shtetërore për studentët që, sipas tij, përfshihen në akte dhune. Ndërsa për nxënësit që largohen nga shkolla për të sulmuar policinë, tha se do të ketë pasoja administrative.
Rama paralajmëroi masa edhe ndaj mësuesve që nxisin nxënësit të përfshihen në akte vandalizmi, duke deklaruar se nuk do të lejohen të vijojnë punën në shkolla.
Ai theksoi se dëmet ndaj hapësirave dhe pajisjeve publike do të riparohen me taksat e qytetarëve, ndërsa fondet shtetërore nuk do të përdoren për të mbështetur financiarisht personat që përfshihen në akte dhune.















