Vetëm pak orë pasi kryeministri Edi Rama njoftoi paraditen e sotme se policët do të përfitonin nga 2 500 euro shpërblim, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin përkatës, duke akorduar menjëherë fondin nga buxheti i shtetit.
Sipas vendimit të publikuar në faqen zyrtare të qeverisë, 2 750 punonjës të Policisë së Shtetit do të përfitojnë secili nga 269 120 lekë, ose rreth 2.7 milionë lekë të vjetra.
Në total, qeveria ka vënë në dispozicion 740 milionë lekë të rinj, ose rreth 7.4 miliardë lekë të vjetra, për shpërblimin e efektivëve.
Fondet do të merren nga rezerva e buxhetit të shtetit për vitin 2026 dhe do t’i shtohen buxhetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në programin e Policisë së Shtetit.
Në vendim argumentohet se shpërblimi jepet për angazhimin e shtuar të punonjësve të policisë në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Vendimi vjen në një moment kur Tirana prej disa ditësh është përfshirë nga protesta të dhunshme, gjatë të cilave janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, dëmtime të institucioneve publike dhe bizneseve private.
Policia ka qenë e angazhuar me forca të shumta në terren, ndërsa gjatë ndërhyrjeve janë përdorur edhe mjete për shpërndarjen e turmave.
Sipas vendimit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të hartojë listën emërore të 2 750 efektivëve përfitues, bazuar në dokumentacionin që justifikon angazhimin e tyre.
Më pas do të kryhen procedurat për kalimin e shpërblimeve financiare.
Ajo që bie në sy është shpejtësia e vendimmarrjes, pasi premtimi i bërë publik nga kryeministri gjatë paradites është konkretizuar brenda së njëjtës ditë me një vendim që parashikon përdorimin e qindra milionë lekëve nga fondi rezervë i shtetit. /skyweb.al















