Kursi i këmbimit euro-lek e ka nisur javën me një tjetër rënie, duke prekur një minimum të ri historik. Monedha europiane vijon të humbasë vlerë në raport me lekun, ndërsa zhvlerësimi vjetor i saj po thellohet më tej.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 91.1 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kursi euro-lek ka shënuar një rënie prej 6.1%, duke reflektuar vijimin e tendencës së forcimit të monedhës vendase kundrejt asaj europiane.
Rënia e euros ndikon në kategori të ndryshme të ekonomisë. Nga njëra anë, ajo ul koston në lekë të importeve dhe të shpenzimeve të kryera në euro, ndërsa nga ana tjetër mund të ndikojë negativisht te të ardhurat në lekë të eksportuesve dhe të familjeve që përfitojnë të ardhura nga jashtë në monedhën europiane.















