Dikur, shpenzimi i shumave të mëdha për produkte luksi ishte simbol statusi në Kinë. Sot, konsumatorët kinezë po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi çmimeve të favorshme, një ndryshim që po ushtron presion mbi markat luksoze europiane.
Ky trend vjen në një kohë kur ekonomia kineze vijon të përballet me kërkesë të dobët të brendshme, pavarësisht rritjes ekonomike prej 4.5% në bazë vjetore në tremujorin e tretë.
Për vite me radhë, konsumatorët kinezë ishin ndër blerësit më të mëdhenj të markave luksoze perëndimore, duke përfaqësuar rreth një të tretën e shpenzimeve globale në këtë sektor. Kjo i solli të ardhura të konsiderueshme kompanive si LVMH dhe Hermès.
Megjithatë, edhe gjigantët e industrisë po ndiejnë pasojat e ndryshimit të sjelljes së konsumatorëve. Grupi LVMH, që zotëron marka të njohura si Louis Vuitton, ka fajësuar së fundmi ngadalësimin e kërkesës në Kinë për rënien e shitjeve organike në tremujorin e tretë në segmentin e modës dhe artikujve prej lëkure.
Në vend të produkteve të reja me çmime të larta, gjithnjë e më shumë konsumatorë po zgjedhin tregun e produkteve luksoze të përdorura ose markat vendase kineze.
Sipas të dhënave të kompanisë konsulente Bain & Company, tregu i produkteve personale të luksit në Kinën kontinentale u tkurr me 18–20% në vitin 2024 dhe me 3–5% të tjera në vitin 2025. Në të kundërt, tregu i produkteve luksoze të dorës së dytë u rrit me 15–20% gjatë vitit të kaluar.
“Dikur njerëzit krahasonin se kush kishte shpenzuar më shumë. Tani të gjithë krahasojnë se kush ka bërë një blerje më të leverdishme dhe ka shpenzuar më pak”, tha Yuan, një mësuese kërcimi 24-vjeçare, për agjencinë AFP.
Ajo foli nga një hapësirë e re tregtare në qendër të Shangait, ku shiten çanta, rripa dhe bizhuteri luksoze të përdorura.
Tregu po fiton terren edhe në aspektin financiar. Sipas kompanisë vendase të konsulencës Insight & Info Consulting, shitjet totale të produkteve luksoze të përdorura arritën në 38.4 miliardë juanë, ose rreth 5.1 miliardë euro, në vitin 2025.
Kompania parashikon që ky treg të kalojë vlerën e 100 miliardë juanëve, ose rreth 13.3 miliardë eurove, deri në vitin 2030.
Ndryshimi i preferencave të konsumatorëve sinjalizon një transformim në tregun kinez të luksit: statusi nuk lidhet më vetëm me blerjen e produkteve më të shtrenjta, por edhe me aftësinë për të gjetur ofertën më të mirë. Për markat europiane, kjo nënkupton sfida të reja në një prej tregjeve të tyre më të rëndësishme.















