Qeveria po përgatit një mekanizëm të ri për vënien në dispozicion të tokave dhe pronave të tjera shtetërore për investitorët privatë pas shfuqizimit të ligjit për Investimet Strategjike duke parashikuar lehtësi në pagesa, krijimin e një fondi të posaçëm të pasurive publike, si dhe mundësinë që bizneset të përfitojnë sipërfaqe shtetërore edhe pa iu nënshtruar procedurave konkurruese.
Parashikimet përfshihen në projektligjin “Për investimet në Republikën e Shqipërisë”, i cili siç kishte paralajmëruar skyweb.al, është hedhur për konsultim publik sëfundmi dhe synon të zëvendësojë elementë të ligjit për Investimet Strategjike duke futur aty edhe dispozita kalimtare, siç është vijimi i shqyrtimit të aplikimeve për statusin e Investitorit Strategjik. (LËXO MË SHUMË).
Në thelb, qeveria propozon një mënyrë të re për të përdorur pronat shtetërore në funksion të investimeve private, ku kushtet e përfitimit dhe pagesat do të varen nga vendndodhja e pronës dhe natyra e investimit.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me mundësinë që investitorët të marrin në dispozicion prona shtetërore që kufizohen me tokat e tyre private, pa pasur nevojë të zhvillohet një garë me subjekte të tjera.
Sipas nenit 15, kjo mundësi parashikohet për investimet që realizohen mbi prona private në zona të klasifikuara me potencial zhvillimi, kur sipërfaqja shtetërore nevojitet për aksesin, lidhjen me infrastrukturën apo funksionimin e projektit.
Sipërfaqja që mund të kërkohet nuk duhet të tejkalojë 20% të sipërfaqes së pronës private ku zhvillohet investimi.
Kjo do të thotë se një biznes që disponon 10 mijë metra katrorë tokë private mund të kërkojë deri në 2 mijë metra katrorë tokë shtetërore kufitare, nëse plotëson kriteret e përcaktuara në ligj.
“Në këto raste, këto pasuri mund t’i vihen në dispozicion investitorit pa procedurë konkurruese”, përcakton projektligji.
Megjithatë, kjo nuk nënkupton përfitimin falas të pronës. Investitori duhet të paguajë vlerën e plotë të saj, të përcaktuar sipas metodologjisë ligjore, ndërsa Kadastra duhet të certifikojë paraprakisht statusin juridik të pasurisë.
Projektligji nuk përcakton automatikisht kalimin e pronësisë te privati, por mundësinë e vënies së pasurisë shtetërore në dispozicion të tij, sipas formave dhe procedurave të zbatueshme.
Nga ana tjetër, qeveria propozon që pronat shtetërore të përdoren për nxitjen e investimeve edhe përmes një sistemi pagesash të diferencuara sipas potencialit të zhvillimit të zonave.
Konkretisht, territori do të klasifikohet në tri kategori: zona me potencial të lartë zhvillimi, zona me potencial të mesëm dhe zona me potencial të ulët zhvillimi.
Për kategorinë e parë parashikohet pagesa e 100% të vlerës së përcaktuar të pronës shtetërore, për kategorinë e dytë 50%, ndërsa për zonat me potencial të ulët zhvillimi propozohet një tarifë e reduktuar.
Metodologjia e vlerësimit, format e vënies në dispozicion të pronave dhe procedurat përkatëse do të përcaktohen më vonë me vendim të Këshillit të Ministrave. Këto kushte janë të ndryshme nga rasti i pronave kufitare me pasuritë private, ku kërkohet pagesa e plotë e vlerës.
Një tjetër element është krijimi i Fondit të Nxitjes së Investimeve, ku do të përfshihen pasuri të paluajtshme shtetërore të kategorive të ndryshme, të administruara nga institucionet publike.
Këto prona do të identifikohen, inventarizohen dhe verifikohen nga pikëpamja juridike përpara se të bëhen pjesë e fondit, ndërsa lista e tyre do të publikohet në faqen zyrtare të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve.
Projektligji parashikon gjithashtu që shteti të mbështesë investimet private përmes ndërtimit të infrastrukturës, konsolidimit të pronave dhe dhënies së të drejtës së përdorimit të brigjeve të deteve, liqeneve dhe lumenjve, sipas kushteve përkatëse ligjore.
Në relacionin shpjegues, qeveria pranon se përdorimi i pronave dhe aseteve publike për mbështetjen e investimeve ka krijuar ndër vite rreziqe financiare dhe juridike, duke kërkuar standardizimin e kritereve dhe një vlerësim më të kujdesshëm të kostove dhe përfitimeve. /skyweb.al
















