Intervistë me Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i TIA
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po përjeton një periudhë rritjeje të shpejtë dhe transformimesh të mëdha, duke u konsoliduar si një nga qendrat kryesore të aviacionit në rajon.
Pas rekordit historik të vitit 2024, me mbi 10.7 milionë pasagjerë, TIA vijon të zgjerojë kapacitetet dhe destinacionet, duke u bërë porta kryesore ajrore jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për udhëtarët e rajonit.
Në një intervistë për Monitor, Drejtori Operacional i TIA, Piervittorio Farabbi, flet për planet ambicioze të aeroportit: objektivin për të arritur 15 milionë pasagjerë në vit, investimet e reja që pritet ta kthejnë në një model rajonal, si dhe përgatitjet për nisjen e fluturimeve direkte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai thekson se këto zhvillime, të mbështetura nga zgjerimi i linjave ajrore low-cost dhe hyrja e investimeve strategjike, pritet të forcojnë rolin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe ekonomik me ndikim rajonal.
Si do ta vlerësonit ecurinë e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës gjatë vitit 2024 dhe në pjesën e deritanishme të vitit 2025?
Viti 2024 ishte më i suksesshmi në historinë e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Arritëm një rekord prej 10.7 milionë pasagjerësh, 113 destinacione dhe lidhje direkte me 33 shtete në Europë dhe Lindjen e Mesme.
Arritjet tona u njohën nga institucione prestigjioze ndërkombëtare si Komisioni Europian dhe Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve, ku TIA u cilësua “Aeroporti me rritjen më të shpejtë në Europë”.
Edhe viti aktual po vijon me ritme pozitive, duke marrë në konsideratë edhe kontekstin europian, ku industria e aviacionit po përjeton ulje-ngritjet e saj.
Në 8-mujorin e parë të 2025-s kemi shënuar një rritje të qëndrueshme prej +9% të numrit të pasagjerëve dhe +2% të fluturimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të arrish rekord sigurisht nuk është e lehtë, por të shtysh përpara çdo vit për t’i thyer ato është edhe më e vështirë.
Këto rezultate tregojnë se strategjia jonë e zhvillimit është e qëndrueshme: investime në infrastrukturë, një portofol i balancuar mes linjave ajrore me kosto të ulët dhe atyre tradicionale, ekselencë në operacione dhe fokus i veçantë te përvoja e pasagjerit.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për të ardhmen?
Planet tona janë të qarta: rritje të mëtejshme përmes investimeve strategjike në infrastrukturë, digjitalizim dhe forcim të kapaciteteve njerëzore.
Këto janë tri shtyllat që do të mbështesin objektivin tonë kryesor – kthimin e aeroportit në një qendër rajonale, jo vetëm për trafikun ajror, por edhe si një katalizator për ekonominë.
Kapacitetet e zgjeruara aktualisht dhe ato të planifikuara në vijim synojnë të mbështesin rritjen e numrit të pasagjerëve dhe destinacioneve. Objektivi ynë afatmesëm është arritja e shifrës 15 milionë pasagjerë në vit.
Është një objektiv ambicioz, por ne besojmë se është i realizueshëm. Pak ditë më parë njoftuam lajmin e rëndësishëm: Ryanair do të hapë bazë në Tiranë në vitin 2026.
Ky është një investim prej 300 milionë dollarësh në avionë, me mbi 4000 vende pune direkte dhe indirekte, si dhe mbi 1.5 milionë pasagjerë shtesë për dhe nga Shqipëria.
Gjithashtu edhe Wizz Air njoftoi disa ditë më parë zgjerimin e flotës së avionëve, nisjen e fluturimeve drejt 4 destinacioneve të reja, si dhe rritjen e frekuencës së fluturimeve me ato ekzistuese.
Të gjitha këto zhvillime, së bashku me planet për marrëveshje të reja me kompanitë ajrore, si edhe fluturimet transoqeanike mbështesin synimet dhe pritshmëritë tona për zgjerim të mëtejshëm dhe rritje të numrit të pasagjerëve dhe të fluturimeve.
Sa kanë qenë investimet në Aeroportin e Rinasit që prej marrjes në administrim dhe cilat janë planet për të ardhmen?
Vitin e kaluar përmbyllëm një fazë të rëndësishme investimi me vlerë 100 milionë euro, që transformoi rrënjësisht infrastrukturën e aeroportit.
Pista u rinovua tërësisht, u ndërtuan pozicione shtesë parkimi për avionët, u përmirësuan rrugët lidhëse me pistën, ndërsa kapaciteti i terminalit u trefishua.
Këto investime ishin thelbësore për të përballuar rritjen e kërkesës, duke garantuar njëkohësisht siguri dhe komoditet më të lartë për pasagjerët.
Në fillim të këtij viti përfunduam një tjetër projekt investimi në kohë rekord: brenda vetëm 3 muajsh ndërtuam një parking të ri me 1000 vende dhe nisëm punimet për fasadën e re të terminalit, që do të jetë një element unik arkitektonik.
Aktualisht, pas sezonit veror, kemi nisur fazën tjetër të zgjerimit të terminalit. Prioritet janë shtimi i sporteleve të check-in, ndërtimi i një hapësire të dedikuar për avionët charter, zgjerimi i zonës së mbërritjeve dhe shtimi i disa portave të reja të imbarkimit.
Në vijim, Grupi Kastrati planifikon të investojë edhe 100 milionë euro brenda 2-3 viteve të ardhshme, duke e kthyer aeroportin në një model rajonal.
Një fokus të veçantë në këto investime do t’i kushtojmë projektit të Grupit që lidhet me qëndrueshmërinë dhe energjinë e pastër.
Si po ecën projekti për fluturimet direkte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kur parashikohet të nisin?
Po punojmë intensivisht në këtë drejtim. Kemi zhvilluar takime dhe negociata me linjat ajrore kryesore që operojnë në Atlantikun Verior, kemi përgatitur infrastrukturën, kemi marrë lejet dhe certifikimet përkatëse dhe kemi aktivizuar edhe kanalet diplomatike.
Synimi ynë është që fluturimet direkte drejt SHBA-së të nisin në sezonin veror të IATA-s dhe më pas të shtrihen përgjatë gjithë vitit.
Sa ka qenë numri i pasagjerëve nga rajoni që kanë fluturuar nga dhe drejt Rinasit në 7-mujorin e parë të vitit 2025?
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është tashmë më i madhi në Ballkanin Perëndimor, si për nga numri i pasagjerëve, ashtu edhe për destinacionet dhe partneritetet me linjat ajrore.
Deri në fund të gushtit të këtij viti kemi pasur 360 mijë pasagjerë nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut që kanë përdorur aeroportin për fluturime drejt destinacioneve direkte në Europë dhe Lindjen e Mesme.
Vërejmë një rritje të theksuar nga Maqedonia e Veriut, falë përmirësimit të infrastrukturës rrugore që ka lehtësuar aksesin drejt aeroportit.
Shqipëria është bërë një destinacion i preferuar turistik. Çfarë roli ka luajtur Aeroporti i Rinasit në këtë drejtim?
Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në sezonin veror u shënua një rritje prej 8% e vizitorëve të huaj krahasuar me vitin e kaluar, një trend që përkon me rritjen e pasagjerëve në TIA.
Këtë vit kemi parë një rritje të vizitorëve nga Spanja, Franca dhe Izraeli, falë vendosjes së fluturimeve direkte dhe shtimit të destinacioneve të reja.
Tel Avivi është operuar nga tri linja ajrore, ndërsa në Spanjë kemi lidhur partneritet me Vueling, dhe në Francë kemi shtuar destinacionet Nantes dhe Bordeaux.
Po ashtu, për herë të parë kemi lidhje direkte me rajonin Baltik (Riga, Vilnius dhe Talin), si edhe destinacione të reja si Lisbona dhe Ammani.
Një rol kyç kanë luajtur edhe kompanitë me kosto të ulët, Wizzair dhe Ryanair; çmimet e leverdishme kanë rritur vizibilitetin e Shqipërisë dhe e kanë bërë vendin të përzgjidhet nga turistët mes ofertës turistike të rajonit.
Cilat shtete kanë shfaqur interes historik për Shqipërinë dhe cilat janë të rejat në këtë drejtim?
Fillimisht, destinacionet më të rëndësishme lidhen me vendet ku kemi diasporën më të madhe: Itali, Gjermani, Angli, Greqi. Por në vitet e fundit është shtuar ndjeshëm interesi nga vende turistike si Polonia, Spanja, Franca, Izraeli dhe vendet Baltike.
Gjithashtu, kemi parë rritje nga Anglia, Gjermania, Danimarka dhe Suedia, ndërsa nga Lindja e Mesme kemi nisur fluturimet me Jordaninë dhe planifikojmë edhe me Libanin e Omanin.
Jemi duke negociuar për të shtuar lidhjet me Europën Lindore, Kazakistanin, Azinë Qendrore dhe Kinën.
Ka një rritje të kureshtjes për Shqipërinë dhe ne presim që me rritjen e mëtejshme të fluturimeve direkte me më shumë destinacione, do të ketë diversifikim më të madh edhe të turistëve.
Nga ana tjetër, qytetarët shqiptarë dhe të rajonit tashmë kanë më shumë alternativa për pushime dhe eksplorim. Deri në fund të këtij viti do të inaugurojmë linja të reja drejt Larnaca (Qipro), Malaga dhe Tenerife (Spanjë), Valeta (Maltë) dhe Këln (Gjermani).
Kjo do të thotë që sezoni turistik për Shqipërinë tashmë zgjatet përtej shtatorit.
A mendoni se dominimi i dy kompanive low cost mund të sjellë probleme me konkurrencën në aeroport?
Aktualisht kemi mbi 50 linja ajrore partnere që na lidhin me rreth 1000 destinacione, drejtpërdrejt ose me ndalesa. Ne analizojmë me kujdes modelin e biznesit të secilës kompani për të krijuar partneritetet më optimale.
Për linjat me kosto të ulët, ne i shohim si një element që rrit konkurrencën në favor të pasagjerëve, duke ulur tarifat e udhëtimit dhe besoj edhe ju vetë e keni vënë re këtë.
Në të njëjtën kohë, linjat tradicionale sigurojnë lidhje me aeroportet kryesore europiane si Frankfurti, Londra, Vjena, Stambolli apo Varshava, prej nga mbi 1 milion pasagjerë të nisur nga TIA vazhdojnë udhëtimet e tyre në mbarë botën. /moitor.al