Liderja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, e cila është detyruar të fshihet që prej zgjedhjeve të kontestuara të vitit të kaluar, është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqe 2025, për angazhimin e saj të palodhur në mbrojtje të të drejtave demokratike në Venezuelë.
Komiteti Norvegjez i Nobelit e përshkroi Machado-n si një simbol të shpresës dhe guximit qytetar, duke thënë se ajo është nderuar “për përpjekjet e saj për të realizuar një kalim të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci” dhe për “mbajtjen gjallë të flakës së demokracisë në një kohë errësire në rritje.”
E lindur në Caracas në vitin 1967, Machado është inxhiniere industriale me profesion. Në vitin 2002, ajo themeloi organizatën “Súmate,” një grup vullnetar që promovon të drejtat politike dhe monitoron zgjedhjet në vendin e saj. E njohur për moton e saj “votat mbi armët,” Machado është kthyer në një prej zërave më të fortë për demokracinë në Amerikën Latine.
Komiteti i Nobelit e përshkroi Machado-n si “një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të guximit civil në Amerikën Latine në vitet e fundit.”
E befasuar nga njoftimi, Machado deklaroi: “O Zot… nuk kam fjalë.” Ajo mori lajmin në mesnatë, përmes një telefonate nga komiteti.
Edhe pse Shtëpia e Bardhë kritikoi komitetin për mosvlerësimin e përpjekjeve për paqe të ish-presidentit Donald Trump, i cili ka shprehur publikisht dëshirën për të fituar këtë çmim, presidenti amerikan e përgëzoi Machado-n më herët këtë vit për angazhimin e saj paqësor në përfaqësimin e zërit të popullit venezuelian.
Në një deklaratë pas marrjes së çmimit, Machado u shpreh se kjo vlerësim duhet të shërbejë si një shtysë për të gjithë venezuelianët për të vazhduar përpjekjen drejt lirisë. /Skyweb.al