Në një laborator të fshehur në veriperëndim të Londrës, tri duar robotike prej metali të zi lëvizin ngadalë mbi një tavolinë inxhinierike. Ato nuk kanë kthetra, por katër gishta dhe një gisht të madh që hapen e mbyllen me kujdes, me nyje në të gjitha vendet e duhura. Pamja është njëkohësisht mahnitëse dhe paksa e frikshme.
“Ne nuk po përpiqemi të ndërtojmë Terminatorin,” thotë me shaka Rich Walker, drejtori i kompanisë Shadow Robot, që i ka krijuar këto duar.
I veshur thjeshtë, me syze, flokë të gjatë dhe mjekër, Walker ngjan më shumë me një idealist modern sesa me një inxhinier të ftohtë teknologjie. Por krenaria i lexohet qartë në fytyrë teksa tregon punën e ekipit të tij.
“Qëllimi ynë është të ndërtojmë robotin që të ndihmon, që ta bën jetën më të lehtë, një shërbëtor të përgjithshëm që mund të bëjë gjithçka në shtëpi, nga pastrimi deri te ndihma për të moshuarit,” thotë ai, raporton BBC.
Por pas këtij qëllimi qëndron një ambicie shumë më e madhe: të zgjidhet një nga krizat më të mëdha që po përballet Britania, ajo e kujdesit social.
Vetëm vitin e kaluar, një raport i organizatës “Skills for Care” tregoi se në Angli mungonin rreth 131 mijë punonjës të kujdesit për të rriturit. Ndërkohë, sipas organizatës “Age UK”, rreth dy milionë persona mbi 65 vjeç jetojnë me nevoja të paplotësuara për kujdes.
Me plakjen e popullsisë, situata pritet të përkeqësohet, deri në vitin 2050, një në katër britanikë do të jetë mbi 65 vjeç, duke e vënë sistemin nën presion të madh.
Qeveria britanike ka shpallur një investim prej 34 milionë paundësh për zhvillimin e robotëve që mund të përdoren në kujdesin shëndetësor dhe social. Në vitin 2019, ajo deklaroi se “brenda 20 viteve, sistemet autonome si robotët do të bëhen pjesë normale e jetës sonë, duke transformuar mënyrën si jetojmë, punojmë dhe udhëtojmë”.

Por a mund të jetë ky një “teknosolucionizëm”, besimi se teknologjia mund të zgjidhë probleme të thella shoqërore? Dhe, mbi të gjitha, a do t’ia besonim jetën tonë, apo të prindërve tanë, një makinerie të fuqishme?
Për të parë si mund të funksionojë një e ardhme e tillë, mjafton të shohim Japoninë, një vend ku robotët tashmë janë bërë pjesë e përditshme e kujdesit ndaj të moshuarve. Prej më shumë se dhjetë vitesh, qeveria japoneze ka subvencionuar kompanitë për të zhvilluar robotë që ndihmojnë në shtëpitë e të moshuarve. Kjo nismë është nxitur nga një popullsi gjithnjë e më e vjetër dhe mungesa e stafit në këtë sektor.
Dr. James Wright, specialist i inteligjencës artificiale dhe profesor vizitor në Queen Mary University of London, kaloi shtatë muaj duke studiuar përdorimin e robotëve në një qendër kujdesi japoneze. Ai vëzhgoi tre lloje të ndryshme robotësh:
HUG – i krijuar nga kompania Fuji Corporation. Ai ndihmonte pacientët të ngriheshin nga shtrati dhe të kalonin në karrocë ose në tualet, duke e bërë punën e kujdestarëve më të lehtë.
Paro – një robot në formën e një foke të vogël, i programuar të reagonte ndaj përkëdheljeve me lëvizje dhe tinguj, për të stimuluar pacientët me demencë.
Pepper – një robot humanoid me pamje miqësore, që mund të jepte udhëzime dhe të udhëhiqte seanca ushtrimesh fizike për të moshuarit.
Në fillim, Dr. Wright pranoi se kishte besuar në entuziazmin e përgjithshëm për këto teknologji. “Mendova se kujdestarët, të mbingarkuar me punë, do t’i pranonin menjëherë robotët si ndihmës të vlefshëm,” tregon ai. “Por ajo që gjeta ishte krejt e kundërta.”
Edhe pse robotët mund të lehtësojnë disa detyra fizike, kujdesi ndaj njerëzve kërkon më shumë se kaq, kërkon ndjeshmëri, komunikim dhe marrëdhënie emocionale, diçka që makineritë nuk mund ta zëvendësojnë lehtë.
Kjo ngre pyetjen thelbësore: a duhet robotët të jenë ndihmës të njerëzve, apo zëvendësues të tyre?
Për Rich Walker dhe ekipin e tij në Shadow Robot, përgjigjja është e qartë. “Ne nuk duam që robotët të zëvendësojnë njerëzit,” thotë ai. “Duam që ata t’u japin njerëzve më shumë kohë’. /Skyweb.al
















