• Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Kush jemi ne
  • Terms and conditions
  • Privacy Policy
E shtunë, 22 Nëntor, 2025
  • Hyr
SkyWeb.al
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
SkyWeb.al
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
SkyWeb.al
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
Kreu Ekonomi

Kontrastet e energjisë, shteti humb, privati fiton, fillon të “ngrohë” biznesi i diellit

Editor Nga Editor
22 Nëntor, 2025
në Ekonomi, Kryesore
A A
0
Kontrastet e energjisë, shteti humb, privati fiton, fillon të “ngrohë” biznesi i diellit
Share on FacebookShare on WhatsApp

Energjia, mbi 90% e së cilës vjen nga hidro, është një treg që shënon luhatje të shumta.

Në vitet me reshje, prodhuesit shohin ditë të mira, ndërsa e “pësojnë” tregtuesit, që ndërmjetësojnë importin. Luhatjet më të mëdha janë për prodhuesit e mëdhenj, si shtetërorë, ashtu dhe privatë.

Në vitin 2024, sipas INSTAT, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 3.7%. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike, në vitin 2024, arriti vlerën 7.837 GWh nga 8.796 GWh energji të prodhuar në vitin 2023, duke shënuar rënie të prodhimit me 10,9%.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) arriti vlerën 2.669 GWh nga 1.922 GWh që ishte një vit më parë, duke shënuar kështu një rritje me 38,9%.

Rënia e prodhimit vendas ka ndikuar negativisht në performancën e kompanive shtetërore të energjisë, ndërsa rritja e importeve ka dhënë efeket pozitiv për tregtuesit.

Sipas INSTAT, hidrocentralet publike, në vitin 2024, prodhuan 4.085 GWh nga 5.123 GWh në vitin 2023 duke shënuar kështu rënie me 20,3%. Hidrocentralet private dhe koncesionare prodhuan 3.245 GWh nga 3.582 GWh një vit më parë duke shënuar rënie me 9,4%.

Nga tre operatorët shtetërorë të energjisë, shpërndarësi i “OSHEE Group”, prodhuesi KESH dhe transmetuesi OST, vetëm KESH kishte rezultat financiar negativ në 2024-n.

“OSHEE Group” raportoi të ardhura prej 74 miliardë lekësh, ndërsa fitimet u rritën me 60%, në 7.3 miliardë lekë, duke hyrë ndër 10 më të mëdhatë në vend për fitimet.

“Operatori i Sistemit të Transmetimit” (OST) është një tjetër kompani shtetërore e energjisë në listën e fitimeve. Të ardhurat ishin të qëndrueshme në gati 11 miliardë lekë dhe fitimet ranë me 70% në 1.8 miliardë lekë.

Sipas deklarimeve zyrtare të kompanisë, në vitin 2024, në sistemin e transmetimit, hyrja e energjisë shënoi 9.9 TWh, ku energjia e transmetuar ishte 9.7 TWh, ndërsa humbjet ishin 0.2 TWh.

Shumica e kësaj energjie ka ardhur si efekt i prodhimit nga burimet hidrike, që janë edhe segmenti dominues në vend, por pesha e fotovoltaikëve është rritur gjithashtu nga viti në vit.

“Rreth 88% e energjisë së injektuar në sistemin e transmetimit nga prodhimi i brendshëm ka qenë nga burimet hidrike dhe 5% nga burimet fotovoltaike, ndërkohë, 7% nga burime në rrjetin shpërndarës, ku prodhimi total në sistemin e transmetimit rezulton 7.2 TWh.

Ngarkesa në sistemin e transmetimit ka qenë 7.6 TWh, prej të cilave 96% janë mbuluar nga prodhimi i brendshëm dhe 4% import, përmes linjave të interkonjeksionit”, – vlerësohet nga të dhënat e OST.

Një dinamikë e tillë në sektor ka shënuar rezultat pozitiv për kompaninë në bilancin e saj financiar.

Konkretisht, OST regjistroi një fitim neto në vlerën rreth 1.76 miliardë lekë. Të ardhurat totale nga veprimtaria e shfrytëzimit për vitin 2024 në bilancin e shoqërisë kanë rezultuar 9.55 miliardë lekë, ku rreth 67% e tyre e zënë të ardhurat nga transmetimi i energjisë elektrike.

Sipas kompanisë, shpenzimet totale nga veprimtaria e shfrytëzimit për vitin 2024 kanë qenë 7.65 miliardë lekë, nga të cilat rreth 33% lidhen me kostot e transmetimit”.

“Korporata Elektroenergjetike Shqiptare” (Sh.a KESH) kishte të ardhura prej 27 miliardë lekësh, me tkurrje prej 36%. Prodhuesi shtetëror i energjisë ka deklaruar humbje prej 380 milionë lekësh, nga fitimet prej 13.4 miliardë lekësh të vitit të mëparshëm.

Erald Elezi, Administrator i “Korporata Eletroenergjetike Shqiptare”, thotë se nga pikëpamja hidrike, viti 2024 ka qenë një vit nën mesataren shumëvjeçare, pra hidrologjikisht ka qenë një vit relativisht i thatë në reshje dhe për rrjedhojë me prurje, poshtë treguesve shumëvjeçarë.

“Ndërkohë, për të mbuluar Detyrimin e Shërbimit Publik prej 5.6 TWh, u arrit që 73% e energjisë të sigurohej nga prodhimi i brendshëm, 12% nga energjia e depozituar nga Prodhuesit Privatë të Energjisë (PPE) dhe 15% nga importet.

Konkretisht, gjatë vitit 2024, u importuan 828 GWh, me kosto totale prej 105.6 milionë eurosh dhe çmim mesatar të favorshëm prej 127.5 €/MWh. Evidentohet që Korporata ka optimizuar me kujdes skenarët e administrimit të kostove të importit kombinuar me shfrytëzimin e kaskadës në mënyrë sa më eficiente, duke iu përgjigjur kërkesës për energji”.

Që prej vitit 2015, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të organizimit të tregut të energjisë elektrike, me hyrjen në fuqi të ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”. Ky ligj solli një model të ri tregu, që përcaktonte ndarjen funksionale të OSHEE-së, krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë (ALPEX) dhe rregulla të qarta për rolin e prodhuesve, furnizuesve dhe tregtarëve privatë.

Si pjesë e Komunitetit të Energjisë dhe në kuadër të përafrimit me tregun europian, ku zbatohet ndarja e plotë mes prodhimit, transmetimit dhe tregtimit, KESH nuk lejohet të blejë drejtpërdrejt energji në bursë apo në tregun vendas për të shmangur tarifat e tregtarëve. Kjo ndalohet nga ligji i vitit 2015 dhe nga rregullat e tregut të miratuara në vitin 2016, të cilat parashikojnë se tregtarët janë hallkë e domosdoshme e sistemit.

Sipas këtyre rregullave, tregtarët e energjisë janë subjekte komerciale që blejnë dhe shesin energji me shumicë, tregtojnë energji për import ose eksport dhe bashkëpunojnë me prodhuesit apo shoqëritë publike të ngarkuara me detyrime shërbimi publik duke garantuar funksionimin e tregut të hapur dhe konkurrues.

Tregtuesit e energjisë rrisin fitimet, tregu po përqendrohet në pak duar

Vitet e fundit, tregtimi i energjisë po joshte bizneset, pasi nëse ke njohuritë e duhura dhe kapital mund të rritesh shumë shpejt, teksa numri i punonjësve që kërkohen është minimal (shoqëritë kanë maksimumi 4 apo 5 punonjës).

Ndonëse është një biznes i paqëndrueshëm, në varësi të nevojave të operatorëve shtetërorë për të blerë energji nga importi, modeli i thjeshtë dhe pa nevojë për shumë investime (përveç garancisë bankare), nxiti hyrje të reja, që i dhanë frytet e tyre sidomos në 2022, kur për tregtuesit ishte një vit i artë, me rritje të fortë të ardhurash e fitimesh.

Fitimet ranë në vitin 2023, për shkak të një viti më të mirë hidrik, që uli nevojën e importeve dhe u rritën sërish në 2024, kur pesha e importeve të energjisë arriti në 32.7%, nga 24.4% në vitin 2023.

Në total, bashkë me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, importet e energjisë në vitin 2024 ishin rreth 100 milionë euro, nga 70 milionë euro në vitin 2023, sipas të dhënave nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), dhe mbi 500 milionë euro që u shpenzuan në vitin 2022.

Dy vitet e fundit po konstatohet përqendrimi i tregut në pak operatorë. Në listën e fitimeve nga ky segment janë 3 kompani nga 6 disa vite më parë.

“Noa Energy Trade” renditet për të dytin vit radhazi si më e madhja në këtë segment. Në vitin 2024, kompania raportoi një qarkullim vjetor prej 26.2 miliardë lekësh, me zgjerim 36.4% me bazë vjetore. Edhe fitimet pothuajse u katërfishuan në gati 2 miliardë lekë. Norma ishte 7.5%.

“Ener Trade”, pjesë e grupit “Gjonaj”, në vitin 2024 ka kaluar në tregtuesin e dytë më të madh të energjisë në vend, ndërsa vitin e kaluar ishte i pari.

Të ardhurat ishin 11.5 miliardë lekë, me rritje prej 10% në krahasim me vitin 2023, pas tkurrjes së fortë prej 76% vitin e mëparshëm, që u ndikua nga ulja e çmimeve të energjisë. Fitimet pothuajse u dyfishuan, në 421 milionë lekë.

“GSA” ishte operatori i tretë më i madh i tregtimit të energjisë. Në vitin 2024, kompania gjeneroi 7 miliardë lekë nga tregtimi i energjisë, nga 8.3 miliardë vitin e mëparshëm.

Në vitin 2023, shoqëria kishte të ardhura totale prej 19.1 miliardë lekësh nga tregtimi i energjisë dhe i ferrokromit, ku 54% vinin nga tregtimi i energjisë.

Në vitin 2024, të ardhurat totale të GSA-së ranë në 8.7 miliardë lekë, si rrjedhojë e ndarjes së aktivitetit të ferrokromit, në kompaninë tjetër “GSA Ferrokrom”. Në linjë me ndarjen e aktivitetit, fitimet u reduktuan në 303 milionë lekë, nga 2.1 miliardë lekë vitin e mëparshëm.

“Ayen Energy Trading” hyri sërish në listën e “Monitor 200”, pas rritjes me 129% të të ardhurave, në 3.6 miliardë lekë, por mbetet jashtë asaj të fitimeve që gjithsesi rezultuan në 120 milionë lekë në vitin 2024, pas humbjeve me 36 milionë lekë vitin e mëparshëm.

HEC-et e vogla, norma fitimi mbi 50%

Investimet e kryera në ndërtimin e hidrocentraleve private si të mëdha, apo të vogla, po japin kthime të kënaqshme. Historikisht, hidrocentralet e vogla janë renditur në listën e më fitimprurësve të “Monitor 200”.

Nga viti 2022 hynë në listë dhe HEC-et e mëdha si “Devolli Hydropower”, apo “Ashta”, pasi kanë mbaruar investimet dhe po kryejnë aktivitet të plotë, por aktiviteti i tyre është më i luhatshëm për shkak të normave të larta të amortizimit.

Në kontrast, të vegjlit kanë aktivitet më të qëndrueshëm, duke u përshtatur më lehtësisht ndaj kapriçiove të motit. Edhe normat e fitimit të tyre janë të larta, duke arritur dhe në 50-60%.

Sipas INSTAT, pesha e energjisë së prodhuar nga hidrocentralet private dhe koncesionare u rrit me 3 pikë përqindje në raport me një vit më parë, duke arritur në 44%, për shkak të shtimit më të shpejtë të prodhimit nga hidrocentralet publike.

Sipas Entit Rregullator të Energjisë (ERE), kapaciteti total prodhues i energjisë elektrike i instaluar në vendin tonë deri më 31 Dhjetor 2024 është rreth 3,213 MW.

Ky kapacitet ka pasur një nivel rritjeje krahasuar me vitin 2023 prej rreth 537 MW. Rritja e kapacitetit të instaluar gjatë vitit vjen kryesisht si rezultat i shtimit të burimeve të rinovueshme të energjisë elektrike fotovoltaike.

Kapaciteti prodhues i energjisë elektrike i kompanisë publike KESH sh.a. është 1,563 MW dhe përbën rreth 48.6% të kapacitetit të instaluar në vendin tonë, nga 56% në vitin 2023.

Për herë të parë në vitin 2024, prodhuesit e tjerë të energjisë elektrike kanë tejkaluar shtetin dhe kanë kapacitet prej 1,650 MW dhe përbëjnë rreth 51.4% të këtij kapaciteti.

Prodhuesit më të mëdhenj të energjisë në vitin 2024 ishin KESH me 4.4 milionë MWH (me rënie 15%), i ndjekur nga “Devolli Hydropower” me 450 mijë MWH (-6.4%), “Kurum International” (362 mijë), “Energji Ashta” (243 mijë) dhe “Ayen As Energji” (342 mijë).

Hidrocentralet e vogla private me koncesion vazhdojnë të shfaqin norma të larta dhe të qëndrueshme fitimi. Sipas operatorëve të tregut, ky sektor mbetet ndër më fitimprurësit në energjinë shqiptare, pasi me përfundimin e investimit fillestar, kostot operative dhe të mirëmbajtjes janë minimale.

Përveç operatorëve të vegjël, edhe kompanitë e mëdha që kanë hyrë në fazën e prodhimit po raportojnë fitime, duke përfituar nga kontratat e qëndrueshme dhe çmimet konkurruese në tregun rajonal të energjisë, ndonëse 2024-a ka shënuar luhatje të forta dhe nuk ishte aq i mbarë për të mëdhenjtë.

“Devoll Hydropower” është prodhuesi privat më i madh i energjisë në vend nëpërmjet dy hidrocentraleve, HEC-i i Banjës (kapacitet i instaluar i energjisë së rinovueshme 72 MW) dhe HEC-i i Moglicës (kapacitet i instaluar i energjisë së rinovueshme 197 MW).

Në vitin 2024, të ardhurat e tij bruto ranë me 34%, në 10.9 miliardë lekë (6.8 miliardë lekë nga aktiviteti kryesor i shitjes së energjisë elektrike dhe rreth 4.1 miliardë lekë ishin fitime nga aktivitetet e tregut, neto, që përfaqësojnë të ardhurat nga aktivitetet e tregtisë së energjisë dhe aktivitetet fillestare të cilat janë materializuar në datën e marrëveshjes me klientin).

Kompania raportoi humbje prej 16 miliardë lekësh, pas fitimeve prej 6 miliardë lekësh vitin e mëparshëm.

Sipas të dhënave në bilanc, humbja erdhi nga zëri “Humbje nga zhvlerësimi i aktiveve afatgjata materiale” prej 19 miliardë eurosh. Nëse do të heqim këtë zë, kompania do të dilte me fitim 3 miliardë lekë para taksave, sa gjysma e një viti më parë.

Sipas raportit të aktivitetit, në vitin 2024, të ardhurat bruto të DHP-së u tkurrën për shkak të uljes së çmimit të energjisë dhe prodhimit të ulur për shkak të hidrologjisë së pafavorshme.

Prodhimi total i energjisë elektrike gjatë vitit 2024 ishte 449 681 MWh, reduktim prej më shumë se 30% krahasuar me vitin 2021, që ishte viti i fundit me hidrologji relativisht normale, për shkak të hidrologjisë së pafavorshme.

Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme e “Statkraft” për Shqipërinë, pohon se gjatë vitit 2024, hidrologjia në ujëmbledhësin e lumit Devoll ka vazhduar të jetë e pafavorshme, me reduktim të konsiderueshëm të prurjeve në rezervuarë, krahasuar me prurjet historike, ngjashëm me vitet e fundit.

Kjo ka sjellë ulje të konsiderueshme të sasisë së prodhuar të energjisë. Ajo shton se luhatja e çmimit të energjisë elektrike mbetet një nga sfidat kryesore të tregut.

“Kurum International” është prodhuesi i dytë më i madh privat i energjisë, pas Devollit, por të ardhurat e tij raportohen së bashku me aktivitetin e prodhimit të çelikut. Sipas ERE, në 2024-n prodhoi 362 mijë MWH, me tkurrje të lehtë prej 1.4%.

“Energjia Ashta”, me fuqi të instaluar 48.2 MW, kishte qarkullim vjetor prej 1.8 miliardë lekësh, me rënie 21%, në 2024-n. Gjatë vitit 2024, prodhimi total ishte 243,982 MWh, sipas raportit vjetor, me tkurrje 15% (sipas ERE). Fitimet ranë me 47%, në 891 milionë lekë. Norma e fitimit ishte 50%.

Kapaciteti i kombinuar i të dy hidrocentraleve (Ashta 1 dhe Ashta 2) është 53 megavat (MW); 242 milionë kilovat orë prodhohen në vit.

“Ayen as Energy” raportoi të ardhura 3.4 miliardë lekë, me rënie 9.2% në raport me vitin e mëparshëm. Fitimet u rritën me 11%, në 1.4 miliardë lekë, me një normë prej 41%.

Kompania turke po zbaton kontratën e vitit 2011 për projektimin, ndërtimin, vënien në punë, administrimin, mirëmbajtjen e hidrocentraleve Gojan, Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fangut, me kapacitet të kombinuar prej 109.7 MW.

“Ayen as Energy” ndërtoi dhe vuri në punë në fund të vitit 2017 HEC-in e Fangut, me kapacitet 74,6 MW. HEC-i i Fangut, për nga kapaciteti i prodhimit, renditet i pesti pas HEC-eve të Fierzës, të Komanit dhe të të Vaut të Dejës, të cilët janë në pronësi shtetërore dhe Moglicës.

Ky është HEC-i i dytë në vend, i ndërtuar nga kompania turke “Ayen” pas atij të Peshqeshit, me kapacitet 23 MW, i cili nisi prodhimin pak vite më parë.

Sipas raportit të aktivitetit, në vitin 2024, “Ayen as Energy” prodhoi energji totale prej 342 mijë MWh, me rënie të lehtë prej 3% nga viti i mëparshëm. Nuk raportohen investime të reja në vitin 2024.

“Euron Energy”, që shfrytëzon me koncesion dy HEC-e, HEC Bele 1, me fuqi 5 MW, dhe HEC Topojan 2, me fuqi 5,8 MW, gjeneroi të ardhura 555 milionë lekë dhe fitime 373 milionë lekë, me një normë prej 67%.

“Diteko”, që ka me koncesion HEC Gjoricë, me fuqi 4.18 MW, raportoi të ardhura prej 1.2 miliardë lekësh dhe fitime 586 milionë lekë, me normë 49%.

“Alb-Energy” ka gjeneruar nga aktiviteti i saj 575 milionë lekë të ardhura, nga shitja e energjisë elektrike nga HEC Bele 1 dhe Topojan 2, në Kukës, dhe fitime prej 407 milionë lekësh.

Norma e fitimit ishte 70% në vitin 2024. Kompania është pjesë e “Alb-Building”, një prej sipërmarrjeve më të mëdha të ndërtimit në vend.

“Seka Hydropower”, që zotëron koncesionin e centralit hidrolektrik “Seke” dhe “Zais” raporti të ardhura prej 682 milionë lekësh dhe fitime prej 307 milionë lekë, me një normë prej 45%.

“GJO-SPA POWER”, që shfrytëzon me koncesion HEC Llapaj, me fuqi 13,62 MW, kishte të ardhura prej 400 milionë lekësh dhe fitime 229 milionë lekë, me normë fitimi 57%.

“Erdat Lura” që ka ndërtuar me koncesion dhe që menaxhon hidrocentralet Lura 1, 2 dhe 3, deklaroi në vitin 2024 të ardhura prej 410 milionë lekësh dhe fitim 221 milionë lekë, me një normë prej 54%.

“Dragobia Energy”, në pronësi të “Gener 2”, që ka ndërtuar HEC-in mbi lumin Valbonë, në vitin e tretë të aktivitetit, raportoi 716 milionë lekë të ardhura. Megjithatë, fitimet ranë ndjeshëm me 64%, në 95 milionë lekë, duke dalë nga lista e më të mëdhenjve sipas fitimeve.

Dielli po ngroh prodhuesit, me norma fitimi deri në 50%

Gjatë viteve të fundit, energjia diellore ka tërhequr gjithnjë e më shumë interes dhe investime, duke dhënë tashmë rezultatet e para të dukshme.

Për herë të parë në vitin 2024, ajo arriti të bëhet pjesë e rëndësishme e prodhimit kombëtar të energjisë elektrike, duke zënë 6,5% të totalit, sipas të dhënave të INSTAT.

Prodhimi arriti në gati 500 GWh, nga vetëm 90 GWh një vit më parë, që përfaqëson një rritje më shumë se pesëfish.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) thekson në raportin vjetor se gjatë vitit 2024, një pjesë të rëndësishme ka filluar ta zërë edhe prodhimi nga impiantet fotovoltaike.

Rritja e kapacitetit gjenerues nga këto impiante kontribuon në diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike në vendin tonë. Kapaciteti i instaluar i impianteve fotovoltaike për vitin 2024 arrin në 449 MW, ndërsa prodhimi i realizuar prej tyre është 489.4 GWh.

Sipas ERE-s, nga 26 impiante, që kanë hyrë në prodhim, me një kapacitet të instaluar prej 269.95 MW gjatë vitit 2024, 95% e tij ishte nga energjia diellore dhe pjesa tjetër, nga uji.

Nxitja e këtij sektori filloi në vitin 2017 me miratimin e kuadrit të parë ligjor për burimet e rinovueshme, por zhvillimi mori hov të vërtetë gjatë krizës energjetike të viteve 2021 – 2022.

Deri më sot, Enti Rregullator i Energjisë ka dhënë 65 licenca për prodhimin e energjisë fotovoltaike, duke nisur nga projekti i parë i zbatuar disa vite më parë nga Ujësjellësi i Korçës.

Shumica e projekteve të realizuara janë impiante të vogla, me kapacitet deri në 2 MW, ndërsa më i madhi është ai i Karavastasë, i ndërtuar nga kompania “Voltalia”, e cila fitoi ankandin e qeverisë dhe nisi prodhimin në vitin 2024.

Përveç tij, disa projekte private të orientuara drejt tregut të lirë po zhvillohen në rajone të ndryshme të vendit, ndonëse një pjesë e madhe e nismave mbetet ende në proces miratimi institucional, pa nisur zbatimin në terren.

Gjatë vitit 2025, deri në fund të korrikut, ERE ka licencuar 13 subjekte të reja (një prej tyre me kusht), me kapacitet total prej 125 MW.

Prej tyre, 11 impiante kanë fuqi deri në 2 MW. Projekti më i madh i licencuar së fundmi është “Sunny Side Energy”, me kapacitet 100 MW, që do të ndërtohet në zonën e Darëzezës, në Fier.

Investimi i grupit “Kastrati”, miratuar në tetor 2024, parashikon që energjia e prodhuar të shitet në tregun e lirë.

Ashtu si në listën e të ardhurave, edhe në atë të fitimeve, ka hyrje të reja nga sektori i energjisë diellore.

Ky investim po rezulton me leverdi, teksa sipërmarrjet e para që kanë hyrë në prodhim po deklarojnë norma fitimi edhe mbi 50%. Ky aktivitet po tërheq investime së fundmi kryesisht nga sektori ndërtues.

Segmenti ka shumë hapësirë për zgjerim, teksa prodhimi i energjisë nga hidro vijon të zërë më shumë se 90% të totalit.

“Karavasta Solar”, që është pjesë e shoqërisë franceze të energjisë së rinovueshme “Voltalia” dhe ka nën menaxhim impiantin e Karavastasë me kapacitet 140 MW, po rritet me shpejtësi, që nga viti 2023, kur filloi prodhimin e energjisë.

Të ardhurat e shoqërisë ishin rreth 3.5 miliardë lekë në vitin 2024, sipas të dhënave nga kompania. Fitimi ishte rreth 2 miliardë lekë, po sipas Tatimeve (bilanci zyrtar nuk është dorëzuar ende), me një normë prej rreth 57%.

“Voltalia” fitoi ankandin e parë të qeverisë për Karavastanë, ku ofroi një çmim 24,89 euro për megavat.

Sipas marrëveshjes, 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar. Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vjet dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë.

Impianti i Karavastasë prodhoi vitin e shkuar 258.3 GWH dhe përbënte 3.2% të prodhimit neto vendas dhe më shumë se gjysmën e gjithë energjisë nga dielli, sipas ERE.

Një tjetër projekt i “Voltalia” është Parku Fotovoltaik i Spitallës, që do të ketë kapacitet të instaluar 100 MW, nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 MW do të tregtohen në treg të lirë.

Por ky projekt nuk ka avancuar me ritmet e pritshme. Ndryshe nga Karavastaja, për ankandin e Spitallës, gara u mbyll me çmim 29.89 euro/MWh, për 70% të kapacitetit të fiksuar për 15 vjet, ndërsa pjesa tjetër do të shitet në treg të lirë.

“SPV Blue 1”, një subjekt i regjistruar në vitin 2021, pikërisht në periudhën kur kriza e energjisë po dukej në horizont, mori lejen për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar prej 50 MW, të pagëzuar me emrin “Blue 1”.

Ndërtimi i parkut solar nisi në korrik 2022, në kulmin e krizës që kishte përfshirë tregjet globale dhe kishte tronditur sistemet energjetike të vendeve të BE-së.

Pas gati dy vitesh punime, impianti u komisionua në maj 2024, duke i dhënë kompanisë mundësinë të niste zyrtarisht prodhimin e energjisë elektrike. Kompania ka deklaruar të ardhura prej 680 milionë lekësh në 2024-n dhe deklaroi fitime 380 milionë lekë, me një normë gati 56%.

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi i energjisë nga dielli nga ky operator ishte rreth 72 mijë MWH, ose rreth 15% e totalit të energjisë së diellit.

Energjia e përfituar nga impianti shitet në tregun e lirë duke e bërë “Blue 1” një nga projektet e para që funksionon jashtë skemave mbështetëse, teksa është një nga më të mëdhenjtë në kapacitet pas Karavastasë që ka hyrë gjithashtu në prodhim në fund të vitit 2023.

Impianti është i vendosur në Sheq Marinas, Fier, në një sipërfaqe 78 hektarë. Kompania zotërohet në 51% nga “Blessed Investment”, një kompani që vepron kryesisht në fushën e zhvillimit të pasurive të paluajtshme, ndërsa 49% e aksioneve janë në pronësi të “Matrix Konstruksion”, që operon kryesisht në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës.

Ndërtimi i “Blue 1” shënoi pak vite më parë prirjen në rritje të grupeve të ndërtimit për të diversifikuar investimet e tyre drejt sektorit të energjisë së rinovueshme, diçka që vazhdon ende.

“EZ5 Energy”, që ofron një zgjidhje të plotë për ciklin e energjisë diellore, është një hyrje e re në listën e më fitimprurësve. Kompania deklaroi rritje të shpejtë të të ardhurave, me 245%, në 1.4 miliardë lekë.

Edhe fitimet u më se katërfishuan në 265 milionë lekë. Norma ishte 19%. Sipas burimeve zyrtare, kompania e themeluar në vitin 2019, nisi veprimtarinë si tregtare e energjisë diellore në tregun e lirë shqiptar. Në vitin 2021, kompania ndërtoi parkun e saj fotovoltaik prej 10 MW në Fier, duke kontribuar në tranzicionin drejt energjisë së pastër.

Sot, “EZ5 Energy” operon një nga fabrikat më moderne të strukturave për panele diellore në rajon, në Vrrina të Durrësit, me kapacitet prodhimi deri në 3 MW struktura mbështetëse në ditë.

Kompania përdor çelik të veshur me Magnelis® me performancë të lartë dhe ndjek standarde ndërkombëtare të certifikuara. Kompania ka mbi 50 punonjës, mbi 144+ MWp kapacitet të instaluar dhe prodhon rreth 20,000 MWh energji të pastër çdo vit.

“Nova Solar System” ishte prodhuesi i tretë më i madh i energjisë nga dielli në vend, me kapacitet të instaluar 50 MW. Në vitin 2024 prodhoi sipas ERE-s gati 30 mijë MW.

Të ardhurat sipas bilancit ishin gati 200 milionë lekë dhe fitimet gati 100 milionë lekë, me normë prej 50%, por kompania nuk është ende pjesë e “Monitor 200”, sipas fitimeve. /Monitor

 

Etiketat: energjiashteti
Artikulli para

Brenda qytetit ku macet sundojnë rrugët

Artikulli pas

“Business News This Week”: Zbuloni Shqipërinë, destinacionin kryesor turistik të Evropës

Editor

Editor

Nga Kategoria

Rriten prurjet e lumit Devoll, HEC-i i Moglicës hap portën e shkarkimit
Aktualitet

Rriten prurjet e lumit Devoll, HEC-i i Moglicës hap portën e shkarkimit

22 Nëntor, 2025
Rama mbron Ballukun: S’ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen dhe të pezullojnë një anëtar qeverie, do ta çojmë në Kushtetuese
Aktualitet

“Ballukun” e çoi në “Kushtetuese”, Rama citon ish-prokurorin amerikan: Drejtësia të jetë e pavarur, por jo e verbër

22 Nëntor, 2025
“Business News This Week”: Zbuloni Shqipërinë, destinacionin kryesor turistik të Evropës
Kryesore

“Business News This Week”: Zbuloni Shqipërinë, destinacionin kryesor turistik të Evropës

22 Nëntor, 2025
Rama “çimenton” Ballukun: S’ka ndryshime në qeveri, Kushtetuesja do të tregojë nëse GJKKO tejkaloi kompetencat
Aktualitet

Rama “çimenton” Ballukun: S’ka ndryshime në qeveri, Kushtetuesja do të tregojë nëse GJKKO tejkaloi kompetencat

21 Nëntor, 2025
Zbardhet plani i paqes, SHBA propozon 28 pika për ndalimin e luftës Rusi-Ukrainë
Aktualitet

Zbardhet plani i paqes, SHBA propozon 28 pika për ndalimin e luftës Rusi-Ukrainë

21 Nëntor, 2025
Banka Kombëtare Tregtare feston 100-vjetorin e rrënjëve të saj me një mbrëmje gala në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor
Ekonomi

Banka Kombëtare Tregtare feston 100-vjetorin e rrënjëve të saj me një mbrëmje gala në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor

21 Nëntor, 2025
Artikulli pas
“Business News This Week”: Zbuloni Shqipërinë, destinacionin kryesor turistik të Evropës

“Business News This Week”: Zbuloni Shqipërinë, destinacionin kryesor turistik të Evropës

Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Të Përzgjedhura

Shtimi i gjobave nuk ul numrin e aksidenteve 
Aktualitet

Shtimi i gjobave nuk ul numrin e aksidenteve 

Nga SkyWeb
4 Prill, 2025
0

Ashpërsimi i ndëshkimeve të parashikuara në Kodin Rrugor, duke sjellë katërfishim të vlerave të gjobave, nuk ka ndikuar në përmirësimin...

Lexo të plotë
RCC dhe PNUD për një Ballkan më të gjelbër

RCC dhe PNUD për një Ballkan më të gjelbër

24 Shtator, 2025
Dëgjimi i muzikës përpara fjetjes ndikon në një gjumë më të mirë, thonë ekspertët  

Dëgjimi i muzikës përpara fjetjes ndikon në një gjumë më të mirë, thonë ekspertët  

19 Tetor, 2025
Prodhimi i armëve dhe dronëve, qeveria miraton kriteret e negociimit me KAYO-s me kompanitë private

VENDIMI/ Qeveria i hap rrugën tenderëve SEKRETË për armët, uniformat ushtarake, municionet, etj.

19 Tetor, 2025
“500 herë ma mirë me Enver Hoxhën, or shoq…” – Pse demokracia në vetvete nuk është zgjidhje

“500 herë ma mirë me Enver Hoxhën, or shoq…” – Pse demokracia në vetvete nuk është zgjidhje

12 Gusht, 2025

Të Fundit

Rriten prurjet e lumit Devoll, HEC-i i Moglicës hap portën e shkarkimit

Rriten prurjet e lumit Devoll, HEC-i i Moglicës hap portën e shkarkimit

22 Nëntor, 2025
Shqiptaret dërgojnë më pak SMS dhe konsumojnë më shumë internet

Shqiptaret dërgojnë më pak SMS dhe konsumojnë më shumë internet

22 Nëntor, 2025
Rama mbron Ballukun: S’ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen dhe të pezullojnë një anëtar qeverie, do ta çojmë në Kushtetuese

“Ballukun” e çoi në “Kushtetuese”, Rama citon ish-prokurorin amerikan: Drejtësia të jetë e pavarur, por jo e verbër

22 Nëntor, 2025
Shkencëtarët zbulojnë përfitimet për trupin nga një gote lëngu portokalli në ditë

Shkencëtarët zbulojnë përfitimet për trupin nga një gote lëngu portokalli në ditë

22 Nëntor, 2025
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Kush jemi ne
  • Terms and conditions
  • Privacy Policy

© 2025 SkyWeb.al - Zhvilluar nga E/Digital Studio

Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED

© 2025 SkyWeb.al - Zhvilluar nga E/Digital Studio

Mirësevini!

Hyni në llogarinë tuaj.

Keni harruar fjalëkalimin?

Riktheni fjalëkalimin

Ju lutem shkruani username ose email

Hyr