• Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Kush jemi ne
  • Terms and conditions
  • Privacy Policy
E martë, 13 Janar, 2026
  • Hyr
SkyWeb.al
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
SkyWeb.al
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
SkyWeb.al
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
Kreu Aktualitet

Presidenti Begaj uron shqiptarët në 113 vjetorin e Pavarësisë: Kemi bërë japa para, të çojmë në vend amanetin e të parëve tanë, bashkë drejt integrimit europian

SkyWeb Nga SkyWeb
28 Nëntor, 2025
në Aktualitet, Kryesore
A A
0
Presidenti Begaj uron shqiptarët në 113 vjetorin e Pavarësisë: Kemi bërë japa para, të çojmë në vend amanetin e të parëve tanë, bashkë drejt integrimit europian
Share on FacebookShare on WhatsApp

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përcolli sot urimin e tij për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, në të gjitha trevat rajonale dhe në diasporë, me rastin e 113 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në ceremoninë e pritjes për Ditën e Flamurit në Pallatin e Brigadave, ku të pranishëm ishin edhe familjarë firmëtarëve të aktit të shpalljes së Pavarësisë, Kreu i Shtetit u fokusua te mesazhet për bashkimin e forcave për integrimin europian, qëndrueshmërinë dhe orientimin e qartë drejt integrimit evropian.

Presidenti Begaj u bëri thirrje shqiptarëve të bashkëpunojnë për të përmbushur objektivin historik: anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ai nënvizoi se vendi ka bërë hapa të rëndësishëm, duke hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave dhe se mbyllja e tyre deri në vitin 2027 është objektiv strategjik për shtetin.

Në fjalimin e tij, Presidenti risolli në vëmendje miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar mbështetjen e tyre për kombin shqiptar.

Ai theksoi se Shqipëria sot është faktor i besueshëm stabiliteti në rajon dhe aleate e palëkundur e NATO-s.

Kreu i Shtetit vuri në dukje rëndësinë e votimit të diasporës, të realizuar për herë të parë këtë vit, duke e cilësuar si një hap historik që e bën shtetin më gjithëpërfshirës dhe demokracinë më të fortë.

Ai vlerësoi rolin e shqiptarëve kudo në botë si urë e fuqishme me botën dhe burim ekspertize, investimesh dhe diplomacie kulturore.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj u ndal edhe te sfidat kombëtare, duke theksuar se pavarësia matet me standarde, me funksionimin e drejtësisë, cilësinë e shërbimeve publike, besimin e qytetarëve tek institucionet, mundësitë për të rinjtë dhe dinjitetin që shteti garanton për çdo qytetar.

Kreu i shtetit rikujtoi se “pavarësia është detyrim, është thirrja për të qenë të përgjegjshëm, të bashkuar e vizionarë”, duke kërkuar më shumë dialog dhe kulturë politike që vendos interesin kombëtar mbi atë partiak.

Presidenti u kërkoi shqiptarëve të jenë bashkë për të kapërcyer ndasitë që ngadalësojnë rrugëtimin evropian dhe të fokusohen te çështjet e mëdha që çojnë vendin përpara.

Në përmbyllje të fjalës, Kreu i Shtetit risolli amanetin e etërve të Pavarësisë për ruajtjen e identitetit, forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e lirisë, ndërsa theksoi se detyra e sotme është ndërtimi i një Shqipërie moderne, të drejtë dhe evropiane.

Presidenti Begaj mbylli fjalimin me urimin tradicional në nder të Ditës së Flamurit, të flamurit kuq e zi dhe të Shqipërisë, duke thënë se “është koha të ngremë një dolli” për kombin dhe të ardhmen e tij.

FJALA E PLOTË
Fjala e Presidentit të Republikës,
Sh. T. Z. Bajram Begaj,
me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit

Të nderuar bashkëkombës kudo ku ndodheni,
Të nderuar miq të Shqipërisë e të ftuar,

Në historinë e kombeve, ka një ditë që përmbledh ëndrrat e shekujve.
Për ne shqiptarët, kjo ditë është 28 Nëntori. Përpara kësaj dite, ne përulemi me respekt e krenari.

Sot, si çdo vit, kjo ditë na bashkon rreth flamurit tonë, flamurit kuq e zi, simbol i historisë dhe sakrificës së shqiptarëve, flamurit që bashkon ëndrrat dhe amanetet e të parëve tanë. Ky flamur nuk njeh ndarje, as interesa të ngushta, as kufij mes nesh. Ai njeh vetëm bashkimin dhe përgjegjësinë tonë për ta çuar përpara shtetin që trashëguam nga të parët.

Kjo ditë është kujtesa e një kombi që, edhe në kohët më të vështira, nuk e humbi besimin te vetja dhe tek e ardhmja e tij. Ne kemi ditur të ecim përpara pa pushtuar, pa kërcënuar, pa dhunuar fqinjët e asnjë vend tjetër, duke u bazuar vetëm te sakrificat e betejat tona për vendin tonë, për Shqipërinë.

113 vjet më parë, Ismail Qemali dhe delegatët që u mblodhën në Vlorë i dhanë jetë shtetit të ri shqiptar. Në një botë që po ndryshonte me shpejtësi dhe plot rreziqe, ata patën guxim, largpamësi dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe vendosën gurin e themelit të shtetit tonë modern.

Në atë ditë të vitit 1912 shqiptarët treguan se kishin një ideal të qartë për lirinë dhe dinjitetin kombëtar dhe, mbi të gjitha, vendosmërinë për ta ndjekur dhe për ta bërë atë realitet.

Sot, ne nderojmë etërit themelues për aktin e tyre dhe, mbi të gjitha, për amanetin që na lanë: një shtet që u shërben shqiptarëve.

Vit pas viti, dekadë pas dekade, shekull pas shekulli, 28 Nëntori dëshmon se shqiptarët, të bashkuar, diktojnë fatin e tyre dhe ndërtojnë vizione të reja për vendin.

Ky 28 Nëntor na gjen në një moment vendimtar për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Sot, 113 vjet më vonë, ne jemi sërish pranë një objektivi tjetër historik: anëtarësimit të plotë në familjen evropiane.

Kurrë më parë nuk kemi qenë kaq pranë. Jo rastësisht. Falë punës. Falë punës së shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, falë sakrificave të brezave, falë arritjeve të shqiptarëve në çdo cep të botës dhe po ashtu falë vizionit të qartë Euroatlantik.

Familjes evropiane ne nuk i kërkojmë një vend, por duam të zëmë vendin që na takon.

Shqipëria ka hapur në harkun e një viti të gjithë grup-kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian.

Ky është një hap historik.

Mbyllja e kapitujve deri në vitin 2027, me punë të përbashkët, standarde të larta dhe vendimmarrje të përgjegjshme, është objektivi ynë strategjik. Ky objektiv nuk është thjesht një proces teknik, është një shans i madh për të transformuar veten, është thelbi i shtetit modern që duam.

Anëtarësimi na kërkon institucione të forta, drejtësi të besueshme, ekonomi konkurruese dhe të qëndrueshme, arsim dhe shëndetësi cilësore dhe një administratë publike më profesionale.

Anëtarësimi është një provim që ne mund ta kalojmë vetëm së bashku si shtet dhe si shoqëri.

Këtë vit shënojmë edhe një moment tjetër historik.

Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, qytetarët tanë në Diasporë patën mundësi të votonin nga vendet ku jetojnë.

Ky ishte hap i rëndësishëm për forcimin e demokracisë sonë.

Ai e bën kombin më të plotë, e bën shtetin më gjithëpërfshirës dhe klasën politike më të përgjegjshme.

Diaspora shqiptare, e shpërndarë në çdo kontinent, është një urë e fuqishme me botën, është zemra jonë që rreh larg, është një burim i jashtëzakonshëm ekspertize, investimi dhe diplomacie kulturore.
Detyra jonë si shtet është t’i dëgjojmë, t’i përfshijmë dhe t’u krijojmë hapësira reale pjesëmarrjeje.

Të dashur shqiptarë,
Pavarësia sot nuk matet vetëm me histori.

Pavarësia matet me standarde.
Pavarësia matet me cilësinë e shërbimeve publike.

Pavarësia matet me besimin e qytetarëve tek institucionet.

Pavarësia matet me drejtësi funksionale.

Pavarësia matet me mundësitë që u ofrohen të rinjve.
Pavarësia matet me dinjitetin që shteti garanton për çdo qytetar.
Pavarësia matet me dashurinë për vendin.
Këto janë sfidat që na bashkojnë, pavarësisht bindjeve politike.

Të nderuar bashkëkombës,

Koha e shpalljes së Pavarësisë, bota e Ismail Qemalit, e Isa Boletinit, ishte ajo e përcaktimit të kufijve. Bota e sotme po ndryshon me shpejtësi. Arkitektura e sigurisë globale po rifigurohet me shpejtësinë e evolucionit të teknologjive që ndryshojnë rrënjësisht marrëdhëniet tona me territorin, shtetin, komunitetin, madje dhe me njeri-tjetrin.
Në këto kohë transformimesh e transformuese, na duhet vendosmëri, koherencë dhe vizion për të qenë në krahun e duhur të historisë.

Viti 2025 na gjeti në një mjedis gjeopolitik dinamik.

Tirana mblodhi këtë vit liderët e 47 vendeve dhe organizatave evropiane, ku siguria evropiane dhe agresioni rus ndaj Ukrainës ishin në qendër të agjendës.

Sfidat e sotme përmblidhen në moton e këtij samiti: “Evropa e re në një botë të re: unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”.
Shqipëria ka fituar besueshmëri si vend që kontribuon në paqe, siguri, zhvillim dhe dialog si aleate e NATO-s dhe si aktor i përgjegjshëm në rajon. Shqipëria mbetet partnere fort e besueshme për aleatët tanë Euroatlantikë.

Ne jemi krenarë për miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mirënjohës për mbështetjen që ata i kanë dhënë kombit tonë.
Ne jemi krenarë për rolin tonë në stabilitetin rajonal, sepse pa stabilitet nuk ka zhvillim dhe të ardhme evropiane.

Fatet tona u ndanë kundër dëshirës sonë. Sot, fati i Shqipërisë, i Kosovës dhe gjithë shqiptarëve në rajon është në duart tona. Fatet i kemi bashkuar drejt orientimit Euroatlantik, të drejtave të njeriut, mirëqenies dhe begatisë.

Çdo arritje e Kosovës dhe komuniteteve shqiptare në rajon e kudo është krenari për ne.

Mbështetja për Kosovën, për konsolidimin e shtetit të saj, për njohje te reja, dialogun dhe integrimin e saj Euroatlantik, është përgjithmonë konstante dhe mbetet një nga përgjegjësitë tona kombëtare.

Sot, kudo ku jetojnë shqiptarët, është ditë feste. Festojnë në Shqipëri e në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut e në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe kudo në pesë kontinentet.

Është koha të jemi bashkë, të mbështesim zhvillimin e komuniteteve shqiptare dhe të punojmë që çdo shqiptar, brenda e jashtë kufijve, të ndihet pjesë e një kombi që ecën përpara.

Në këtë ditë të shenjtë për ne shqiptarët, le të kujtojmë se pavarësia është detyrim, është thirrja për të qenë të përgjegjshëm, të bashkuar e vizionarë.

Shqipëria ndërtohet më mirë dhe prosperon më shpejt me dialog, me debat konstruktiv për çështje të mëdha, jo duke humbur kohën me çështje dytësore, me institucione që punojnë, jo me institucione që bllokojnë njëri-tjetrin. Ne kemi nevojë për një kulturë politike që e vendos interesin kombëtar të qytetarit mbi interesin partiak.

Ne kemi nevojë të fokusohemi te çështjet e mëdha që e çojnë vendin përpara.

Vetëm të përbashkuar, me një qëllim të madh kombëtar, ne mund të shmangim ndasitë që vonojnë rrugëtimin e përbashkët.

Në këtë rrugëtim evropian: çdo reformë ka rëndësi, çdo institucion ka përgjegjësi, çdo qytetar ka rol.
Të nderuar bashkëkombës,
Në këtë ditë të shenjtë nuk duhet të harrojmë se pavarësia është dhe festë, festa e shoqërisë, e familjes, e të rriturve dhe të vegjëlve, e arritjeve të secilit prej nesh.

Uroj të festoni të përmbushur, si qytetarë të një vendi ku vlerat njerëzore e komunitare mbijetojnë dhe ku entuziazmi për arritjet në vijim është i vërtetë dhe emocionues!

Të punojmë së bashku!

Shqipëria ka ecur shumë, por ka ende shumë për të bërë. Unë besoj fort se me maturi, bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët, ne mund ta ndërtojmë vendin që meritojmë e me të cilin krenohemi.

113 vjet më parë, të parët tanë na lanë një amanet të çmuar: të ruajmë identitetin, të forcojmë shtetin dhe të mbrojmë lirinë.

Detyra jonë sot është ta çojmë këtë amanet në një nivel tjetër: ta bëjmë Shqipërinë një vend të drejtë, të sigurt, modern dhe evropian. Për këtë, na duhet guximi i Vlorës së 1912-ës, urtësia e mençuria e Ismail Qemalit dhe vullneti i çdo shqiptari.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Zoti i bekoftë miqtë e Shqipërisë!

Është koha të ngremë një dolli dhe, siç e do tradita shqiptare, e kemi me tre urime:

Urimi i parë: Për Ditën e Flamurit! Ta kemi përjetë!

Urimi i dytë: Për flamurin kuq e zi, flamurin që na bashkon të gjithëve! Ta nderojmë përjetë!

Urimi i tretë: Për Shqipërinë dhe shqiptarët,

Ta gëzojmë përjetë!

Artikulli para

Për herë të parë në 14 vjet, Apple lë pas Samsung

Artikulli pas

Airbus urdhëron ndërhyrje urgjente për mijëra avionë A320: Preket edhe Shqipëria, Wizz Air njofton probleme me fluturimet

SkyWeb

SkyWeb

Nga Kategoria

Një PARAJSË FISKALE në mes të Shqipërisë, Elira Kokona zhduk projektin “Durana” nga faqja e Korporatës së Investimeve: A po fshihen gjurmët e një SKANDALI?
Aktualitet

Nga Ermal Beqiri te Bledar Dhima, Renis Tërshana dhe të tjerë, biznesmenët e regjistruar në parkun fiktiv Durana Tech Park për të mos paguar taksa, SPAK nis verifikimet 

12 Janar, 2026
Pas Tropojës, amerikanët e CWP do të ngrenë tjetër park eolik në Pukë, Balluku: Bashkëpunim i shkëlqyer
Ekonomi

Pas Tropojës, amerikanët e CWP do të ngrenë tjetër park eolik në Pukë, Balluku: Bashkëpunim i shkëlqyer

12 Janar, 2026
Grekët të shqetësuar: Shqipëria ka infrastrukturë aeroportuale më të mirë se e jona
Aviacion

Grekët të shqetësuar: Shqipëria ka infrastrukturë aeroportuale më të mirë se e jona

12 Janar, 2026
Industria del nga Toka, ndërtohet fabrika që do të prodhojë materiale nga hapësira
Aktualitet

Industria del nga Toka, ndërtohet fabrika që do të prodhojë materiale nga hapësira

12 Janar, 2026
“Downtown One Tirana”, në qendër të vëmendjes ndërkombëtare: Shqipëria në hartën globale të arkitekturës bashkëkohore
Kryesore

“Downtown One Tirana”, në qendër të vëmendjes ndërkombëtare: Shqipëria në hartën globale të arkitekturës bashkëkohore

12 Janar, 2026
Robotët që bëjnë punët e shtëpisë, sa jemi vërtet afër një shërbëtori artificial?
Aktualitet

Robotët që bëjnë punët e shtëpisë, sa jemi vërtet afër një shërbëtori artificial?

12 Janar, 2026
Artikulli pas
Airbus urdhëron ndërhyrje urgjente për mijëra avionë A320: Preket edhe Shqipëria, Wizz Air njofton probleme me fluturimet

Airbus urdhëron ndërhyrje urgjente për mijëra avionë A320: Preket edhe Shqipëria, Wizz Air njofton probleme me fluturimet

Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Të Përzgjedhura

Elon Musk poston flamurin në flakë: Italia po zhduket
Aktualitet

Elon Musk poston flamurin në flakë: Italia po zhduket

Nga Editor
13 Nëntor, 2025
0

Elon Musk ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale pas një postimi të bërë në platformën e tij “X”, ku publikoi...

Lexo të plotë
Sekreti italian për të mos e hedhur kurrë bukën

Sekreti italian për të mos e hedhur kurrë bukën

6 Nëntor, 2025
45 gjyqtarë polakë ngrenë dolli në Lezhë

45 gjyqtarë polakë ngrenë dolli në Lezhë

24 Shtator, 2025
A do t’i zëvendësojë inteligjenca artificiale njerëzit në shërbimin ndaj klientit?

A do t’i zëvendësojë inteligjenca artificiale njerëzit në shërbimin ndaj klientit?

3 Nëntor, 2025
Të pasurit shqiptarë shtojnë luksin, rritet importi i orave të shtrenjta

Të pasurit shqiptarë shtojnë luksin, rritet importi i orave të shtrenjta

22 Qershor, 2025

Të Fundit

Një PARAJSË FISKALE në mes të Shqipërisë, Elira Kokona zhduk projektin “Durana” nga faqja e Korporatës së Investimeve: A po fshihen gjurmët e një SKANDALI?

Nga Ermal Beqiri te Bledar Dhima, Renis Tërshana dhe të tjerë, biznesmenët e regjistruar në parkun fiktiv Durana Tech Park për të mos paguar taksa, SPAK nis verifikimet 

12 Janar, 2026
Pas Tropojës, amerikanët e CWP do të ngrenë tjetër park eolik në Pukë, Balluku: Bashkëpunim i shkëlqyer

Pas Tropojës, amerikanët e CWP do të ngrenë tjetër park eolik në Pukë, Balluku: Bashkëpunim i shkëlqyer

12 Janar, 2026
Kolonja “magjike” nën bardhësinë e borës

Kolonja “magjike” nën bardhësinë e borës

12 Janar, 2026
Grekët të shqetësuar: Shqipëria ka infrastrukturë aeroportuale më të mirë se e jona

Grekët të shqetësuar: Shqipëria ka infrastrukturë aeroportuale më të mirë se e jona

12 Janar, 2026
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Kush jemi ne
  • Terms and conditions
  • Privacy Policy

© 2026 SkyWeb.al - Zhvilluar nga E/Digital Studio

Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED

© 2026 SkyWeb.al - Zhvilluar nga E/Digital Studio

Mirësevini!

Hyni në llogarinë tuaj.

Keni harruar fjalëkalimin?

Riktheni fjalëkalimin

Ju lutem shkruani username ose email

Hyr