Hetimi i bujshëm për tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit ka zbuluar skandalin më të madh të abuzimit me fondet publike në vend.
Një grup kriminal në krye të AKSHI-t përvetësonin paratë publike nëpërmjet skemave të paracaktimit të fituesve, fryrjes artificiale të kostos e deri në pengmarrje të rivalëve.
Bëhet fjalë për dosjen më të bujshme deri më tani, që kërkonte guxim dhe integritet profesional për ta çuar para. Deri dje, aq që mund të mendohej se mund të prekej grupi që kontrollonte AKSHI-n për shkak të pushtetit politik, financiar dhe kriminal, por kjo nuk e ndalin prokurorin special Bledar Maksuti dhe BKH-në për të çuar hetimin përpara duke marrë përsipër barrën për të çmontuar një grup të dyshuar të strukturuar kriminal që, sipas SPAK, ka manipuluar tendera publikë me vlerë dhjetëra milionë euro.
Fillimisht, hetimi për abuzimet me tenderat e AKSHI-t po drejtohej nga prokurori i posaçëm Elvin Gogaj. Megjithatë, ky i fundit vendosi të kandidojë për postin e kreut të SPAK dhe, në mënyrë të papritur, ndërpreu hetimet, ndërsa dosja i kaloi kolegut të tij, Bledar Maksuti.
Ky ndryshim i drejtimit të hetimit është bërë publik edhe nga gazetarja Anila Hoxha, e cila ka ngritur pikëpyetje mbi mungesën e transparencës në këtë kalim.
Me marrjen e dosjes, Maksuti ka intensifikuar hetimet në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, duke çuar në një operacion të gjerë në Tiranë dhe në ekzekutimin e masave të sigurisë të firmosura nga Gjykata e Posaçme.
Si rezultat, shqiptarët panë me sytë e tyre se si drejtues të institucioneve super të rendësishme shtetërore raportonin dhe merrnin urdhra se kush do të ishte fituesi i tenderave në zyra private.
Në qendër të dosjes janë Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri, të cilët akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, heqjen e paligjshme të lirisë, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Për të dy është vendosur masa e arrestit me burg, por ajo nuk është ekzekutuar pasi ata nuk janë arrestuar gjatë operacionit.
Sipas SPAK, skema kriminale konsistonte në ushtrimin e presionit dhe dhunës ndaj përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse në tendera, duke i detyruar ata të tërhiqnin ankesat administrative. Kjo praktikë, sipas organit të akuzës, u hapte rrugë kompanive të paracaktuara për t’u shpallur fituese në procedurat e prokurimit publik.
Hetimi ka përfshirë edhe zyrtarë të tjerë. Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi janë vënë në masën e arrestit në shtëpi, ndërsa një zyrtar i Policisë së Shtetit, Erion Ismaili, zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, është pezulluar nga detyra dhe i është ndaluar dalja jashtë vendit. Po ashtu, disa biznesmenë të tjerë akuzohen për përfshirje në skemë përmes faturimeve fiktive ose pjesëmarrjes formale në tendera.
Një element kyç i kësaj dosjeje është fakti se hetimi për AKSHI-n ka nisur në mënyrë të tërthortë, gjatë verifikimeve për një tjetër çështje penale. Burime nga hetimi bëjnë me dije se provat e para për abuzimet me tenderat janë zbuluar gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të hetimit për kontrabandën e cigareve, ku sërish dyshohet se është i përfshirë Ergys Agasi.
Pikërisht gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur elementë që kanë çuar në hapjen e dosjes për tenderat e AKSHI-t.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit konsiderohet një institucion strategjik, pasi administron sistemet kryesore të qeverisjes digjitale dhe platformën e-Albania. Sipas SPAK, përdorimi i këtij institucioni për përfitime kriminale përbën jo vetëm abuzim financiar, por edhe rrezik serioz për sigurinë e të dhënave dhe interesin publik. /skyweb.al















