Në shkollat fillore anembanë botës ekziston një ndarje e heshtur: një pjesë e fëmijëve kanë tashmë smartphone, ndërsa pjesa tjetër jo.
Prindërit që kanë vendosur të presin shpesh ndihen fajtorë, nga frika se po i izolojnë fëmijët e tyre nga bashkëmoshatarët. Por gjithnjë e më shumë, shkenca po u jep atyre të drejtë.
Studime të publikuara në vitin 2025 tregojnë se ekspozimi i hershëm ndaj ekraneve, veçanërisht rrjeteve sociale, po ndikon drejtpërdrejt dhe fizikisht në zhvillimin e trurit të adoleshentëve.
Ran Barzilay, profesor i psikiatrisë në Universitetin e Pensilvanisë, i lejoi dy fëmijët e tij të parë të kishin telefon para moshës 12 vjeç. Sot, ai thotë se do të vepronte ndryshe: fëmija i tretë do të duhet të presë.
Arsyeja janë të dhënat shqetësuese. Sipas studimeve, fëmijët që përdorin rregullisht rrjete sociale shfaqin:
Kujtesë më të dobët dhe vëmendje të reduktuar
Përpunim më të ngadaltë të informacionit
Probleme me gjumin dhe rrezik më të lartë për obezitet
Një studim i botuar në revistën Pediatrics tregon se një fëmijë që merr telefon në moshën 12 vjeçare, krahasuar me 13 vjeç, ka 60% më shumë rrezik për çrregullime të gjumit dhe 40% më shumë gjasa për t’u bërë obez.
Shkaku lidhet me zhvillimin e trurit. Para moshës 13 vjeç, zona përgjegjëse për kontrollin e impulseve nuk është ende plotësisht e formuar dhe nuk arrin të përballojë presionin e algoritmeve të fuqishme të platformave si TikTok dhe Instagram.
Një gjetje veçanërisht shqetësuese është se edhe vetëm një orë në ditë në rrjete sociale lidhet me performancë më të ulët akademike krahasuar me fëmijët që nuk i përdorin fare.
“Është si të kalosh nga nota 10 në 9,” shpjegon Jason Nagata nga Universiteti i Kalifornisë. “Dallimi duket i vogël, por ndikon ndjeshëm në rrugëtimin shkollor të një adoleshenti.”
Ndryshe nga sa mendohet shpesh, video-lojërat dhe filmat nuk tregojnë të njëjtën lidhje me problemet e vëmendjes. Rrjetet sociale janë faktori kryesor, sepse e mësojnë trurin me ndërprerje të vazhdueshme dhe njoftime të pandërprera, duke e dobësuar aftësinë për përqendrim.
Çfarë mund të bëjnë prindërit?
Ekspertët këshillojnë një qasje të balancuar, pa e demonizuar teknologjinë:
Shtyni sa më shumë blerjen e telefonit, idealisht deri në moshën 13–14 vjeç. Çdo vit vonesë është një fitim për shëndetin mendor.
Jepni shembullin vetë. Fëmijët kopjojnë sjelljen e prindërve.
Krijoni zona pa telefon, si dhoma e gjumit dhe tavolina e ushqimit.
Ofroni alternativa reale: sport, muzikë, aktivitete kreative dhe shoqërim ballë për ballë. Lufta kundër telefonit humbet nëse mërzia është alternativa e vetme.
















