Një çerek shekulli më parë, teknologjia dukej krejt ndryshe. Në fillim të viteve 2000, shumica e kompjuterëve lidhnin internetin përmes zhurmshmeve lidhje dial-up, Netflix ishte thjesht një shërbim online për marrjen me qira të DVD-ve dhe termi “smartphone” ishte pothuajse i panjohur për shumicën e njerëzve, shkruan BBC.
Sot, vetëm 25 vite më vonë, inteligjenca artificiale, robotika dhe teknologji të tjera po zhvillohen me një ritëm marramendës. Për këtë arsye, ekspertët janë pyetur se çfarë mund të sjellin 25 vitet e ardhshme dhe si mund ta transformojnë jetën tonë deri në vitin 2050.
Bashkimi i njeriut me makinën
Fantashkenca e vendosur në vitet 2050 është e mbushur me ide për përmirësime teknologjike që i bëjnë njerëzit më të shëndetshëm, më të lumtur dhe më produktivë. Në lojën e famshme Deus Ex (2000), e vendosur në vitin 2052, personazhet përdorin “nanite”, robotë mikroskopikë që veprojnë në nivel atomik dhe u japin aftësi mbinjerëzore.
Edhe pse tingëllon si fantazi e largët, nanoteknologjia, inxhinieria në përmasa jashtëzakonisht të vogla, tashmë është pjesë e jetës së përditshme. Çdo smartphone apo kompjuter funksionon falë çipave me miliarda transistorë të ndërtuar në shkallë nano.
Profesor Steven Bramwell nga Qendra e Nanoteknologjisë në Londër thotë se deri në vitin 2050, kufijtë mes makinave, elektronikës dhe biologjisë do të jenë “dukshëm të paqartë”. Sipas tij, implantet nano mund të përdoren për monitorimin e shëndetit apo përmirësimin e komunikimit, ndërsa në mjekësi mund të shërbejnë për dërgimin e barnave pikërisht aty ku nevojiten.
Profesori i kibernetikës Kevin Warwick, i njohur si “Captain Cyborg”, parashikon që përparimet në këtë fushë mund të çojnë në trajtime revolucionare për sëmundje si skizofrenia, përmes stimulimit elektronik të trurit, në vend të medikamenteve tradicionale. Ai beson se deri në vitin 2050 do të shohim gjithnjë e më shumë përmirësime kibernetike që do të lejojnë ndarjen mes trupit dhe mendjes në mënyra të paimagjinueshme sot.
“Binjakët dixhitalë” dhe testimi i së ardhmes
Profesori Roger Highfield, drejtor i Science Museum Group, beson se “binjakët dixhitalë”, versione virtuale të trupit tonë të përditësuara me të dhëna në kohë reale – mund të bëhen pjesë e zakonshme e jetës. Këto modele do të na lejonin të testonim medikamente, dieta apo ndryshime jetese pa rrezikuar shëndetin, duke “parë” të ardhmen përpara se ta jetojmë atë.
Gjenerata e re e inteligjencës artificiale
Gjigantët e teknologjisë si Google dhe IBM po investojnë miliarda dollarë në zhvillimin e kompjuterëve kuantikë, të cilët mund të kryejnë llogaritje tepër komplekse me shpejtësi të jashtëzakonshme. Në vitin 2025, drejtori i Nvidia-s, Jensen Huang, deklaroi se kompjuterët kuantikë vërtet të dobishëm mund të bëhen realitet brenda 20 viteve.
Ndërkohë, inteligjenca artificiale do të vazhdojë të ketë një rol qendror në shoqëri. Futuristja Tracey Follows parashikon se arsimi në vitin 2050 do të zhvillohet në realitete virtuale dhe fizike, me mësues të bazuar në AI që përshtaten në kohë reale me nevojat e nxënësve. Librat do të zëvendësohen nga simulime zhytëse dhe të nxënit do të personalizohet bazuar në të dhëna biologjike dhe biometrike.
Rrugë pa trafik dhe baza në Hënë
Shkrimtari Bill Douglass beson se makinat autonome do ta bëjnë trafikun dhe aksidentet rrugore pothuajse të papërfillshme. Automjetet do të lëvizin shumë më afër njëra-tjetrës dhe do të reagojnë në mënyrë të sinkronizuar, duke ulur ndjeshëm rrezikun e aksidenteve.
Në hapësirë, gara do të vazhdojë me intensitet. Gazetarja Sue Nelson parashikon që deri në vitin 2050 mund të ketë një bazë të banueshme në Hënë, ndërsa disa industri, si ajo farmaceutike, mund të zhvendosen pjesërisht në hapësirë për të përfituar nga mikrograviteti në prodhimin e barnave më cilësore.
Kur fantashkenca bëhet realitet
Filmi Minority Report (2002), i vendosur në vitin 2054, parashikonte teknologji që sot duken gjithnjë e më të afërta me realitetin. Edhe pse shpesh me tone distopike, fantashkenca ka shërbyer si burim frymëzimi për zhvillimet teknologjike.
Megjithatë, përballë frikës se inteligjenca artificiale mund të ketë pasoja të rënda për njerëzimin, vlen të kujtohen fjalët e shkrimtarit Philip K. Dick:
“Unë besoj te shkenca si ndihmë për njerëzimin. Shkenca na ka dhënë më shumë jetë sesa na ka marrë.”
Një mesazh që mbetet po aq aktual edhe në prag të vitit 2050. /skyweb.al
















