Një studim i fundit nga Universiteti Kindai në Japoni sugjeron se arginina, një aminoacid i zakonshëm dhe i njohur për profilin e saj të lartë të sigurisë, mund të ndihmojë në uljen e dëmtimeve karakteristike të sëmundjes Alzhaimer në modele eksperimentale, sipas “Sciencenews”.
Rezultatet e studimit, të publikuara në revistën shkencore “Neurochemistry International”, tregojnë se administrimi oral i argininës redukton grumbullimin e proteinës beta-amiloide (Aβ), ul inflamacionin dhe përmirëson sjelljen, si në modele me miza frutash ashtu edhe tek minjtë laboratorikë.
Alzheimeri është një sëmundje neurodegjenerative progresive dhe një nga shkaqet kryesore të demencës në nivel global. Edhe pse vitet e fundit janë futur në përdorim barna të reja me antitrupa kundër Aβ, efektiviteti i tyre mbetet i kufizuar, ndërsa kostot dhe rreziku i efekteve anësore janë të konsiderueshme. Kjo ka rritur nevojën për alternativa më të sigurta dhe më të përballueshme.
Studiuesit zbuluan se arginina vepron si një “shoqërues kimik” i sigurt, duke penguar në mënyrë të varur nga doza formimin e agregateve toksike të proteinës Aβ42 në kushte laboratorike. Ky efekt u konfirmua më pas në dy modele të njohura të Alzheimerit: një model me Drosophila me mutacionin Arctic dhe një model minjsh AppNL-G-F, që mbart tre mutacione familjare të sëmundjes.
Në të dyja modelet, trajtimi me argininë çoi në ulje të ndjeshme të ngarkesës amiloide dhe të efekteve të saj toksike. Tek minjtë u vu re një reduktim i pllakave amiloide dhe i niveleve të Aβ42 të patretshme në tru, si dhe përmirësim i dukshëm i performancës në testet e sjelljes.
Gjithashtu, u regjistrua ulje e shprehjes së gjeneve të citokinave pro-inflamatore, çka tregon për një efekt mbrojtës më të gjerë kundër neuroinflamacionit.
“Fakti që arginina është tashmë e njohur si një substancë e sigurt dhe me kosto të ulët e bën atë një kandidate shumë premtuese për ripozicionim si terapi për Alzheimerin”, u shpreh profesor Yoshitaka Nagai, bashkëautor i studimit.
Sipas tij, aftësia e argininës për të depërtuar mirë në tru dhe përdorimi i saj i mëparshëm në praktikën klinike mund të përshpejtojnë kalimin drejt provave klinike tek njerëzit.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se dozat dhe protokollet e përdorura në këtë studim janë eksperimentale dhe nuk përkojnë me suplementet që gjenden aktualisht në treg. Për këtë arsye, nevojiten studime të mëtejshme për të vlerësuar sigurinë dhe efektivitetin tek pacientët.
Pavarësisht kësaj, gjetjet ofrojnë një provë të fortë konceptuale se një qasje e thjeshtë dhe me kosto të ulët mund të ketë potencial të madh në luftën globale kundër sëmundjes Alzheimer.















