Avokati Maks Haxhia thotë se klienti i tij, Ergys Agasi, ndodhet jashtë shtetit dhe në këto kushte nuk mund të paraqitet para organeve të drejtësisë.
Në një deklaratë për mediat, avokati u shpreh: “Vetëm po të jetë i çmendur dhe të vijë”, duke theksuar se “duan t’ia hedhin çelësat në det”.
“Kjo situatë, që është krijuar kastile dhe duke ngritur akuza të rënda, bën që zbatimi i masës së sigurisë të mos i japë më asnjë shans për të komunikuar me drejtësinë”, tha Haxhia.
Avokati tha se Agasi nuk ka ushtruar asnjëherë funksion publik dhe, për rrjedhojë, nuk mund të mbahet përgjegjës për çështje që lidhen me tendera apo vendimmarrje shtetërore.
“Akuzat ndaj Ergys Agasit janë absurditete. Po i ngrihen akuza për tendera një njeriu që nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë funksion publik”, u shpreh Haxhia, duke shtuar se klienti i tij nuk ka pasur kurrë pushtet vendimmarrës në institucionet shtetërore.
Ai theksoi se nuk ka asnjë kontakt me klientin, por komunikon vetëm me familjarët e tij.
“Zoti Agasi, sipas informacionit që kam nga familja, nuk ndodhet në Shqipëri. Por, nisur nga kjo situatë, ku ngrihen akuza që janë absurditete për një person pa pushtet, zoti Agasi nuk ka asnjë lidhje me tenderat në AKSHI. Ai i ka mbaruar punët e veta, por në këtë terren, vetëm po të jetë një njeri që do t’ia hedhin çelësin në det mund të vijë dhe të paraqitet në organet e drejtësisë”, tha Haxhia.
Por deklarata e avokatit Haxhia përforcon idenë që Agasi është larguar për t’iu shmangur drejtësisë dhe jo siç pretendoi në dhjetor të vitit të kaluar, se kishte shkuar jashtë vendit për të lidhur disa marrëveshje dhe do të kthehej në Shqipëri.
“Ai nuk është arratisur, por ndodhet në një shtet duke lidhur një marrëveshje. Kur të kthehet, do të përballet me drejtësinë. Në këto momente, lëvizjet e Agasit përkojnë shumë me këto zhvillime politike. SPAK e komprometon kjo nxjerrje e hetimeve,” tha Haxhia për mediat, pasi kishte tërhequr në SPAK dokumentet që lidhen me klientin e tij para disa javësh.
SPAK e akuzon Ergys Agasin për përfshirje në një skemë të dyshuar manipulimi të tenderave publikë pranë AKSHI-t, në bashkëpunim me zyrtarë dhe biznesmenë të tjerë. Akuzat lidhen me shkelje të barazisë në tendera dhe ndikim të paligjshëm në procedurat e prokurimit publik. /vna.al















