Në podkastin e tij “Flasim”, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluat lëshimin e vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të 75 vendeve, ku përfshihej edhe Shqipëria.
Kreu i qeverisë tha se nuk është e vërtetë që SHBA-të kanë ndaluar vizat për Shqipërinë, por kanë bërë një pezullim të përkohshëm sa i përket lejeve të punës. Sipas tij, autoritetet amerikane kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizave për turizëm apo biznes dhe më pas qytetarët e këtyre vendeve nuk kanë respektuar afatet, por kanë qëndruar në Amerikë për të punuar.
“Dua të them dy fjalë për ata që u hodhën përpjetë, ose më saktë, për ata që jetojnë të hedhur përpjetë dhe që, në përpjetësinë e tyre, i shtuan hedhjeve edhe një hedhje të radhës dhe të së njëjtës natyrë: dezinformim, çoroditje e opinionit publik, helmim i të gjithë atyre që kanë akoma fuqinë t’i dëgjojnë, duke thënë që Amerika i ndaloi vizat për Shqipërinë. Kjo është e pavërtetë! Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndaluar vizat për Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata aktuale, nën orientimin e qartë prej kohësh të Presidentit Trump për politikën e re lidhur me emigracionin, ka vendosur që për 75 vende të botës, ndër të cilat edhe disa vende të Ballkanit, ku përfshihet edhe Kosova, të bëhet një pezullim i përkohshëm për sa i përket lejeve të punës në Shtetet e Bashkuara, jo vizave për në Amerikë, por lejeve të qëndrimit në Amerikë për punë, pasi për këtë kategori vendesh kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizës për turizëm, marrjes së vizës për biznes dhe më pas të mosrespektimit të afateve, por të qëndrimit atje për të filluar një punë”, tha Rama. /skyweb.al