Qeveria ka miratuar ndërtimin e dy centraleve të rinj për prodhimin e energjisë elektrike në Korçë dhe Dibër, me një kapacitet total të instaluar prej 65 megavat.
Sipas vendimeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave, bëhet fjalë për një park eolik në njësinë administrative Mollaj, Bashkia Korçë, me kapacitet 55 MW, dhe një park fotovoltaik në Vlashaj, njësia administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë, me kapacitet 10 MW.
Të dy projektet nuk janë objekt koncesioni dhe nuk përfitojnë masa mbështetëse nga shteti. Afati i ndërtimit dhe vënies në punë për centralin e Korçës është 48 muaj, ndërsa për atë të Dibrës 36 muaj. Të dy impiantet do të operojnë për një periudhë 49-vjeçare.
Sipas vendimeve, investitorët kanë detyrimin që t’i kalojnë shtetit 2 për qind të prodhimit vjetor të energjisë elektrike ose vlerën përkatëse financiare, ndërsa zbatimi i projekteve do të mbikëqyret nga institucionet përgjegjëse të energjisë. /skyweb.al















