Juria shpalli këtë të enjte projektin fitues për ndërtimin e Shtëpisë së re të Fëmijëve dhe Korpusit të Inspektorateve, duke marrë një vendim ndryshe nga praktikat e deritanishme.
Sipas vendimit përfundimtar, projekti fitues nuk do të jetë një zgjidhje e vetme arkitekturore, por një kombinim i dy projekteve të ndryshme, ku secili objekt do të zhvillohet nga një ekip i veçantë arkitektësh. Juria vlerësoi se asnjë prej propozimeve nuk e trajtonte në mënyrë të plotë të dy programet së bashku, ndaj u vendos që Shtëpia e Fëmijëve dhe Korpusi i Inspektorateve të projektohen veçmas.
Për ndërtimin e Shtëpisë së re të Fëmijëve u përzgjodh prezantimi i Shoqërisë “PROGEEN l.l.c”, me nënkontraktorë të specializuar Taller Hector Barroso, Studio B&L l.l.c, Doriana Bleta, Agim Seranaj dhe Ardian Paci.

Gjatë prezantimit, ekipi fitues theksoi se koncepti i projektit e sheh Shtëpinë e Fëmijëve jo thjesht si një institucion, por si një shtëpi reale, e menduar për jetën e përditshme të fëmijëve dhe ndërveprimin me komunitetin. Projekti parashikon një organizim me njësi të pavarura, të lidhura mes tyre, me oborre të brendshme që krijojnë hapësira lozonjare dhe aktivitete gjatë gjithë vitit. Ndriçimi natyror, lëvizshmëria dhe ndërveprimi social janë elementë kyç të konceptit, ndërsa projekti përfshin edhe ambiente si bibliotekë, hapësira studimi dhe zyra administrative.
Ndërkohë, për zhvillimin e Korpusit të Inspektorateve u përzgjodh Shoqëria “MOTUS” shpk, me nënkontraktorë të specializuar “Asab” shpk, Son Engineering and Construction, Rojkind Arquitectos S.C dhe Julian Kasharaj.
Projekti parashikon ndërtimin e tre kullave, të konceptuara si një strukturë urbane e integruar. Sipas prezantimit, kullat do të funksionojnë si një tërësi, me ura lidhëse mes tyre, ndërsa njëra prej tyre do të shërbejë për hotel dhe zyra. Arkitektët theksuan rëndësinë e hyrjeve monumentale dhe krijimit të një identiteti të ri urban për zonën.
Ky projekt është pjesë e nismës së qeverisë për zhvillimin e pronës shtetërore në bashkëpunim me sektorin privat. Në këtë model, partneri privat merr përsipër financimin e ndërtimit të objekteve publike, ndërsa në këmbim fiton të drejtën për zhvillimin e një prone tjetër me funksion multifunksional.
Sipas sqarimeve të mëparshme të Korporatës së Investimeve Shqiptare, përmes këtij instrumenti partneriteti synohet që të ndërtohen dy objekte publike, Korpusi i Inspektorateve dhe Shtëpia e re e Fëmijëve “Zyber Hallulli”. Kjo e fundit do të zhvillohet në një zonë me vila në rrugën Gramoz Pashko.
Modeli i sipërmarrjes është zgjedhur pasi, sipas institucioneve, ofron vlerën më të lartë zhvillimore për pronën shtetërore, duke mundësuar përdorim të balancuar publik dhe privat në mënyrë efikase dhe të qëndrueshme.















