Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar ankimimin e një prej kompanive pjesëmarrëse në tenderin e madh të internetit dhe intranetit për institucionet qeveritare, duke i hapur rrugë AKSHI-t për të vijuar me procedurat e shpalljes së fituesve finalë dhe lidhjen e kontratave.
Burime pranë Komisionit të Prokurimit Publik bëjnë me dije për Skyweb.al se KPP ka rrëzuar ankimimin e kompanisë Albanian Satellite Communication, me argumentin se, përpara se t’i drejtohej Komisionit, kompania duhej të kishte paraqitur më parë ankesat pranë autoritetit kontraktor, që në këtë rast është AKSHI.
Një tjetër argument i përdorur nga KPP lidhet me ofertën financiare të kompanisë ankuese, e cila rezulton të ketë qenë rreth dhjetë herë më e lartë se fondi limit i tenderit.
Sipas Komisionit, kjo e bën ofertën të pakualifikueshme për t’u shqyrtuar në kuadër të një ankimi administrativ.
Vendimi i KPP pritet të shpallet zyrtarisht gjatë ditës së nesërme.
Pas këtij vendimi, AKSHI duhet të vijojë me shpalljen e fituesve finalë, ku sipas burimeve, në garë mbeten bashkimet e operatorëve Abissnet me MC Networking dhe Nisanet, si edhe Abissnet me Digicom dhe Albanian Telecommunications Union.
Skyweb.al ka raportuar më herët për këtë tender, i cili është shoqëruar nga një proces i gjatë ankimimesh dhe anulimesh, deri në rishpalljen e procedurës nga AKSHI.
KPP zhbllokon tenderin 5 milionë euro për internetin pasi detyroi AKSHI-n të rishikonte kriteret
Në fazat e mëparshme, kompani si One Albania dhe Albanian Satellite Communication kishin argumentuar në Komisionin e Prokurimit Publik se, me fondin limit rreth 5.1 milionë euro, ishte e pamundur të ofrohej shërbimi i kërkuar nga AKSHI. Megjithatë, këto pretendime nuk janë marrë parasysh dhe fondi limit nuk është ndryshuar.
Me vendimin e sotëm të Komisionit të Prokurimit Publik, AKSHI duhet të vijojë me shpalljen e fituesve përfundimtarë dhe me lidhjen e kontratave, për të ndarë institucionet që do të mbulohen nga kompanitë fituese. /skyweb.al
















