Gazeta e njohur amerikane “Washington Post” ka njoftuar stafin se do të vijojë me një valë të gjerë shkarkimesh, në kuadër të asaj që drejtuesit e quajnë një rivendosje strategjike të gazetës, raporton The Independent.
Masat parashikojnë mbylljen e redaksisë së sportit, shkurtime të thella në mbulimin ndërkombëtar, çmontimin e seksionit të recensave të librave si dhe ristrukturimin e ekipit të lajmeve lokale.
Fillimisht nuk u bë e ditur numri i saktë i punonjësve që do të preken, por raportimet e mëhershme flisnin për rreth 100 gazetarë nga redaksia dhe deri në 300 punonjës në total që rrezikonin vendet e punës. Pas emaileve të dërguara së fundmi, pritet që rreth një e treta e stafit, afërsisht 300 nga 800 gazetarë, të shkarkohen.
Disa punonjës e kanë përshkruar situatën si një “gjakderdhje”.
“I përket ndër ditëve më të errëta në historinë e një prej organizatave më të mëdha të lajmeve në botë”, deklaroi ish-redaktori ekzekutiv i Washington Post, Marty Baron.
Sipas tij, “ambiciet e ‘Washington Post’ do të tkurren ndjeshëm, stafi i tij i talentuar dhe i guximshëm do të reduktohet edhe më tej dhe publikut do t’i mohohet raportimi në terren, i bazuar në fakte, në komunitetet tona dhe në mbarë botën – raportim që është më i nevojshëm se kurrë”.
Njoftimi u bë nga redaktori ekzekutiv Matt Murray, pas një apeli kolektiv të redaksisë, e cila i kërkoi publikisht pronarit miliarder të gazetës, Jeff Bezos, të tërhiqej nga planet për shkurtimet. Fushata “SaveThePost” nuk duket se ka pasur ndikim.
Gjatë një telefonate me stafin, Murray konfirmoi se redaksia e sportit do të eliminohet, ndonëse disa gazetarë do të mbeten në një seksion të ri që do të fokusohet në kulturën e sportit. Ai njoftoi gjithashtu tkurrjen e zyrave të huaja, ndryshime të thella në mbulimin lokal dhe pezullimin e podkastit kryesor “Post Reports”.
Edhe seksioni i recensave të librave është shpërbërë pothuajse plotësisht.
“Nuk mund të jemi gjithçka për të gjithë”, shkroi Murray në mesazhin e tij drejtuar stafit.
“Por duhet të jemi të pazëvendësueshëm aty ku konkurrojmë. Kjo do të thotë të pyesim vazhdimisht pse një histori ka rëndësi, kë i shërben dhe si i ndihmon njerëzit të kuptojnë më qartë botën dhe të orientohen në të”, theksoi ai. /skyweb.al















