Qeveria ka miratuar vendimin për ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse në zonën Sheq-Marinas, në Fier. Projekti do të realizohet nga shoqëria “SOLEN ENERGY” dhe parashikon një kapacitet të instaluar prej 128 megavatësh.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, afati për ndërtimin, pajisjen me leje ndërtimi dhe vënien në operim të impiantit është përcaktuar brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit. Centrali do të ketë të drejtë operimi për një periudhë 49 vjeçare.
Në vendim theksohet se projekti nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masa mbështetëse financiare. Megjithatë, shoqëria ndërtuese ka detyrimin që t’i japë falas ministrisë përgjegjëse për energjinë, në formë royalty, 2 për qind të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose ta konvertojë këtë sasi në vlerë monetare, e cila do të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit.
Mbikëqyrja e projektit do të kryhet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, me kontrolle periodike çdo tre muaj, për të verifikuar ecurinë e punimeve, cilësinë, konformitetin dhe operimin e impiantit sipas dokumentacionit teknik.
Shoqëria “SOLEN ENERGY” është e detyruar gjithashtu të paraqesë raporte periodike mbi ecurinë e punimeve, të respektojë kushtet mjedisore dhe të depozitojë sigurimin e kontratës në masën jo më pak se 5 për qind të vlerës së investimit.
Vendimi parashikon edhe mundësinë që një pjesë e prodhimit t’i shitet furnizuesit publik, në përputhje me legjislacionin në fuqi.















