Tregu bankar shqiptar po hyn në një fazë të re interesi nga aktorë të rëndësishëm rajonalë. Grupi bankar slloven Nova Ljubljanska Banka (NLB) ka konfirmuar ambicien për të hyrë në Shqipëri, duke e konsideruar këtë treg si hallkën e fundit që mungon në praninë e tij në Ballkanin Perëndimor.
Në një intervistë për “Monitor”, CEO i grupit NLB, Blaž Brodnjak, thekson se hyrja në Shqipëri do të plotësonte rrjetin e integruar financiar të bankës në rajon dhe do të forconte flukset ndërkufitare të kapitalit, duke e pozicionuar NLB si një nyje kyçe mes tregjeve të Ballkanit dhe investitorëve ndërkombëtarë.
Me asete që tejkalojnë 30 miliardë euro dhe rreth 3 milionë klientë aktivë në Europën Juglindore, NLB operon sipas modelit të bankës universale, duke mbuluar jo vetëm shërbimet bankare tradicionale, por edhe investimet, sigurimet, menaxhimin e aseteve dhe këshillimin financiar.
Grupi ka kapacitet për blerje apo bashkime deri në rreth 4 miliardë euro në asete të ponderuara me risk, çka e bën një aktor potencialisht të fortë në çdo treg ku vendos të hyjë.
Interesi për Shqipërinë nuk është i ri, por sipas drejtuesve të NLB, zhvillimet e fundit në stabilitetin makroekonomik, përafrimin me standardet e BE-së dhe rritjen e investimeve në infrastrukturë e kanë bërë tregun më tërheqës. Banka sheh potencial të veçantë në financimin e projekteve të energjisë së gjelbër, infrastrukturës, si dhe në kreditimin me pakicë, të mbështetur nga një popullsi relativisht e re.
Ky interes vjen në një moment kur tregu bankar shqiptar, pas një dekade konsolidimi, ka nisur të shfaqë shenja zgjerimi.
Krahas licencimit të bankave të reja, në Shqipëri ka hyrë edhe banka e parë plotësisht digjitale, JET Bank, një zhvillim që sinjalizon transformimin e sektorit drejt modeleve më moderne dhe teknologjike. /skyweb.al















