Fluturimi W95704 i kompanisë Wizz Air, i nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës drejt Londrës, ka kryer një ulje emergjente në Basel të Zvicrës mbrëmjen e djeshme mëson skyweb.al.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën e monitorimit ajror Flightradar, avioni ka pësuar një humbje të shpejtë lartësie gjatë devijimit për në Aeroportin e Baselit.

Avioni ishte planifikuar të nisej në orën 18:50, por u ngrit nga Tirana rreth orës 19:40, me gati një orë vonesë.
Gjatë fluturimit mbi hapësirën ajrore të Evropës Qendrore, ai ndryshoi drejtimin dhe u orientua drejt aeroportit të Baselit, ku realizoi ulje emergjente.
Të dhënat e gjurmimit tregojnë se para devijimit, avioni ka humbur lartësi me ritëm të përshpejtuar.
Në një reagim të mëvonshëm për Skyweb.al, Wizz Air tha se shkak i uljes emergjente ishte nevoja e një pasagjeri për ndihmë mjekësore, ndërkohë që më pas avioni vijoi fluturimin normalisht për në Londër. /skyweb.al















