Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur një fazë të re të transformimit digjital, duke bërë të mundur që vendimet për legalizimin e ndërtimeve informale të mos merren më fizikisht, por të dërgohen drejtpërdrejt në profilin personal të qytetarëve në platformën e-Albania.
Sipas njoftimit zyrtar, dokumenti i legalizimit do të jetë i aksesueshëm menjëherë përmes telefonit apo kompjuterit, pa qenë e nevojshme paraqitja në sportele, pritja në radhë apo komunikimi përmes postës.
Me këtë ndryshim, procesi synon të reduktojë kohën e përpunimit dhe të rrisë sigurinë në shpërndarjen e dokumenteve zyrtare. Vendimet do të dorëzohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të gjurmueshme në llogarinë elektronike të përfituesit, duke shmangur vonesat dhe ndërhyrjet manuale.
Sipas Kadastrës, përfitimet kryesore lidhen me përshpejtimin e pajisjes me titull pronësie, thjeshtimin e procedurave dhe rritjen e transparencës për qytetarët që kanë ndjekur procesin e legalizimit.
Zhvillimi konsiderohet pjesë e reformës së modernizimit të administratës publike, me synim ofrimin e shërbimeve më të shpejta dhe më efikase në fushën e pronësisë, përmes kanaleve digjitale. /skyweb.al
















