Mbledhja e parë e javës e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste u zhvillua këtë të hënë në Kuvend, ku fokusi kryesor ishte nisma për ndryshime ligjore që lidhen me masën e pezullimit nga detyra për funksione të larta shtetërore.
Deputeti Ulsi Manja prezantoi në fillim të mbledhjes thelbin e propozimit, duke sqaruar se ndërhyrja synon të përcaktojë qartë se cilat funksione nuk mund të jenë objekt i masës së pezullimit, për shkak të natyrës së tyre kushtetuese dhe rolit që kanë në funksionimin e shtetit.
Sipas propozimit, lista e subjekteve që nuk mund të pezullohen nga detyra do të zgjerohet. Në të do të përfshihen Presidenti i Republikës, Avokati i Popullit, zëvendëskryeministri, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese si edhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Manja shpjegoi se nisma lidhet me rregullimin e dispozitave që përcaktojnë masat ndaluese dhe synon të shmangë interpretimet që mund të krijojnë boshllëqe në praktikë, veçanërisht kur bëhet fjalë për funksione që nuk mund të zëvendësohen në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Propozimi pritet të vijojë procedurat parlamentare në ditët në vijim, ndërsa mazhoranca e konsideron ndërhyrjen si një hap për të saktësuar raportet mes pushteteve dhe për të shmangur paqartësitë ligjore në raste konkrete. /skyweb.al















